Abdixhiku nga Gjilani: Ne s’do të mburremi me hapje dërrasash të vadave, do të matemi me punë të mëdha

Abdixhiku nga Gjilani: Ne s’do të mburremi me hapje dërrasash të vadave, do të matemi me punë të mëdha

Zgjedhjet 2026 June 03, 2026 - 22:00

Kryetari i LDK-së, njëherësh kandidat për kryeministër, Lumir Abdixhiku, tubimet me qytetarë në kuadër të fushatës zgjedhore i ka vazhduar në Gjilan.

Ai tha se pati pritje të jashtëzakonshme në qytetin e Anamoravës.

“Një energji që të jep besim se fryma e ndryshimit po rritet çdo ditë e më shumë”, tha kreu i LDK-së.

Tutje, ai ironizoi edhe me “projektin” e përuruar gjatë ditës së sotme në Podujevë nga ministri në detyrë i Bujqësisë, Armend Muja.

“Në Gjilan folëm qartë; ministrat e LDK-së nuk do të mburren me hapje dërrasash të vadave, ministrat tanë do të maten me punë të mëdha. Me përfundimin e Autostradës së Gjilanit. Menjëherë”, deklaroi Abdixhiku.

Ai shtoi se “Kosova nuk ka më kohë për propagandë e fotografi ceremoniale. Ka nevojë për rezultate. Për njerëz që ndërtojnë dhe përfundojnë projekte që kanë mbetur peng për vite të tëra”.

Ai përmendi edhe kandidatët për deputetë nga Gjilani: Lutfi Haziri me numër 5, Valentina Bunjaku Rexhepi me numër 21, Gentrit Murseli me numër 68, Besim Guda me numër 69 dhe Drenushë Maloku Bejtullahu me numër 103. Ndërsa në Artanë garojmë me kandidatin Bajrush Ymeri me numër 93 dhe në Kamenicë garojmë me kandidatin Jeton Biqkaj me numër 102.

“Anamorava e di fort mirë dallimin mes zhurmës dhe punës. E kur ngritet Gjilani, ndihet gjithandej Kosovës”, përfundoi kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku.