Prokuroria dhe Policia paralajmërojnë masa ndaj personave që publikojnë votën në rrjete sociale
Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës kanë intensifikuar koordinimin për parandalimin dhe trajtimin e keqpërdorimeve të mundshme gjatë procesit zgjedhor, me fokus të veçantë te rastet e publikimit të votës në rrjetet sociale.
Në një takim pune të mbajtur të martën, koordinatorja nacionale për zgjedhje, Laura Pula, së bashku me menaxherin e projektit strategjik “Mbrojtja e votës”, Besim Kusari, pritën zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, si dhe përfaqësues të tjerë të Policisë së Kosovës.
Gjatë takimit u diskutua për planifikimin, vlerësimin dhe angazhimin e institucioneve në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si dhe për koordinimin e aktiviteteve të përbashkëta në terren.
Laura Pula bëri të ditur se tashmë janë caktuar ekipet kujdestare të përbëra nga prokurorë dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të trajtojnë çdo parregullsi eventuale gjatë zgjedhjeve.
Ndërkaq, Fehmi Hoti tha se edhe Policia e Kosovës ka angazhuar ekipe kujdestare policore për të garantuar sigurinë dhe zhvillimin e rregullt të procesit zgjedhor.
Sipas njoftimit, Prokuroria dhe Policia kanë pranuar informacione se disa qytetarë, kryesisht nga diaspora, gjatë votimit me postë kanë fotografuar ose incizuar fletëvotimet e tyre dhe më pas i kanë publikuar në rrjetet sociale.
Institucionet njoftuan se pas pranimit të këtyre informatave janë identifikuar disa persona që dyshohet se kanë kryer veprime të tilla dhe se rastet janë duke u verifikuar dhe trajtuar.
“Prokurori i Shtetit dhe Policia e Kosovës njoftojnë të gjithë qytetarët se këto veprime do të trajtohen dhe secili do të mbahet përgjegjës për veprimet e tij”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, qytetarët që ushtrojnë të drejtën e votës janë ftuar të tregojnë kujdes që vota e tyre të mos bëhet publike në asnjë formë.
Në përfundim të takimit, të dy institucionet riafirmuan përkushtimin për të vepruar në kohë në parandalimin dhe trajtimin e çdo keqpërdorimi të mundshëm gjatë të gjitha fazave të procesit zgjedhor. /Zëri