LDK-ja premton autostradën Prishtinë–Mitrovicë dhe ulje të kostos së jetesës

LDK-ja premton autostradën Prishtinë–Mitrovicë dhe ulje të kostos së jetesës

Zgjedhjet 2026 June 02, 2026 - 21:00

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbajtur tubim zgjedhor në Mitrovicë, ku kandidati për kryeministër nga kjo parti, Lumir Abdixhiku, dhe bartësja e listës, Vjosa Osmani, prezantuan programin qeverisës.

Abdixhiku premtoi se Mitrovica do të jetë qendër e investimeve, teksa u zotua për përfundimin e autostradës Prishtinë-Mitrovicë.

Tutje, ai premtoi heqjen e TVSH-së për produktet bazike dhe garantoi se gjatë katër viteve të ardhshme çmimi i energjisë elektrike nuk do të rritet.

"Ekonomia e Kosovës nuk zhvillohet vetëm me ndihma, por me investime kapitale. Programi ynë ka investime 5-miliardëshe dhe Mitrovica është në qendër të tyre. Brenda tri viteve do t’i përfundojmë të gjitha rrugët, e kjo e Mitrovicës do të përfundojë më herët. Kosova do të lidhet me gaz amerikan, nga Hani i Elezit deri te Shkritorja do të ndërtohet linja...", ka thënë Lumir Abdixhiku, kandidat për kryeministër nga LDK

Bartësja e listës së LDK-së, Vjosa Osmani, tha se Mitrovica i ka dhënë shumë Kosovës, teksa paralajmëroi investime me fokus në industri, turizëm dhe sektorin e shëndetësisë.

"Ne kemi vizion të qartë për këtë qytet. Investimet do të jenë më të mëdhatë në historinë 27-vjeçare dhe do ta kenë në qendër Mitrovicën", ka thënë Vjosa Osmani, bartëse e listës së LDK-së.