“Gjithmonë Harry!” – Bayerni mobilizohet për Topin e Artë, Kane e merr mbështetjen e të gjithëve
Harry Kane është favoriti i madh për Topin e Artë 2026, ndërsa Bayern Munich ka zbarkuar në Londër me një delegacion të madh për ta mbështetur sulmuesin anglez.
Bayern Munich dëshiron që Harry Kane ta fitojë çmimin më prestigjioz individual në futbollin botëror.
Për ceremoninë që mbahet në Londër, klubi gjerman ka udhëtuar me disa prej yjeve të tij, përfshirë Michael Olise, Luis Díaz, Dayot Upamecano dhe talentin Lennart Karl.
Në delegacion janë edhe presidenti Herbert Hainer dhe drejtori ekzekutiv Jan-Christian Dreesen, të cilët shpresojnë që sulmuesi anglez të shpërblehet për sezonin e jashtëzakonshëm.
Mbështetjen e tij për Kane e shprehu edhe Luis Díaz, i cili, kur u pyet se kush do ta fitojë Topin e Artë, u përgjigj shkurt: “Harry, Harry, favoriti. Gjithmonë!”
Dreesen gjithashtu vlerësoi kontributin e sulmuesit, duke theksuar se 73 golat e realizuar me Bayernin dhe Kombëtaren e Anglisë kanë rëndësi të veçantë këtë vit.
Kane e mbylli sezonin 2025/26 me Këpucën e Artë Evropiane dhe ndihmoi Bayernin të fitonte Bundesligën, Kupën e Gjermanisë dhe Superkupën e Gjermanisë, ndërsa arriti deri në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Nëse triumfon, Kane do të bëhej lojtari i parë i Bayernit që fiton Topin e Artë që nga Karl-Heinz Rummenigge në vitin 1981.
Megjithatë, gara mbetet e hapur, me emra të tjerë të mëdhenj që synojnë trofeun individual. Fituesi do të mësohet në ceremoninë e madhe në Londër. /Zëri