Pesë favoritë të fortë për Topin e Artë 2026, kush do ta fitojë çmimin?
Kanë mbetur vetëm pak orë deri te ceremonia e Topit të Artë 2026, por gara për çmimin më prestigjioz individual në futboll mbetet e hapur. Kylian Mbappe, Harry Kane, Lamine Yamal, Khvicha Kvaratskhelia dhe Lionel Messi janë ndër emrat kryesorë në garë.
Ceremonia do të mbahet në Londër, në teatrin “London Palladium”, në një edicion të veçantë që shënon 70-vjetorin e ndarjes së parë të Topit të Artë, të fituar nga legjenda angleze Stanley Matthews.
Sipas “Tuttomercatoweb”, këtë vit është veçanërisht e vështirë të parashikohet fituesi, pasi disa futbollistë kanë argumente të forta për ta merituar çmimin.
Mbappe, Kane dhe Yamai në qendër të vëmendjes
Kylian Mbappe vjen pas një paraqitjeje të shkëlqyer individuale, ndërsa Harry Kane ka spikatur me numrin e madh të golave dhe sukseset me Bayern Munichun.
Lamine Yamal, nga ana tjetër, ka përparësi sa u përket trofeve kolektivë, ndërsa Khvicha Kvaratskhelia ka qenë një nga protagonistët e rëndësishëm të suksesit të Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve.
Në garë është edhe Lionel Messi, i cili vazhdon të jetë një emër i madh në futbollin botëror, ndonëse këtë herë përballet me kandidatë që kanë pasur sezone shumë të forta.
Rezultati mbahet sekret deri në ceremoni
Sipas raportimit italian, vetëm një numër shumë i kufizuar personash e dinë paraprakisht emrin e fituesit, me qëllim që të shmangen rrjedhjet e informacionit.
Fitorja e Mbappes në “El Clasico”, ku shënoi dy gola ndaj Barcelonës, nuk ndikon në këtë garë, pasi çmimi vlerëson paraqitjet gjatë sezonit të kaluar.
Prandaj, gjithçka pritet të vendoset në ceremoninë e Londrës, ku njëri prej favoritëve do të shpallet fitues i Topit të Artë 2026. /Zëri