Mourinho: S’do ta kisha problem ta pranoja nëse një vendim do të ishte në favor të Real Madridit

Mourinho: S’do ta kisha problem ta pranoja nëse një vendim do të ishte në favor të Real Madridit

Sport October 19, 2026 - 11:04

Jose Mourinho ka folur për polemikat rreth rastit të Arda Gulerit, i cili nuk u ndëshkua me karton të kuq pas një dueli të ashpër me Pequen, në fitoren 4-1 të Real Madridit ndaj Sevillas.

Trajneri portugez, i njohur për qëndrimet e tij të drejtpërdrejta sa i përket arbitrimit, këtë herë ka zgjedhur një qasje më të matur, duke thënë se ende nuk i ka parë pamjet e incidentit që ka shkaktuar pakënaqësi te Sevilla.

“Askush nuk ka arritur të më tregojë se çfarë thuhet se ka ndodhur. Nuk i kam pamjet dhe nuk kam qenë në gjendje ta rishikoj atë episod. I kam kërkuar pamjet si televizionit, ashtu edhe analistëve tanë, por nuk kam gjetur asnjë kuadër të asaj për të cilën po flitet dhe që e ka zemëruar aq shumë Sevillan”, ka deklaruar Mourinho.

Më pas, trajneri i Real Madridit ka theksuar se nuk do të hezitonte ta pranonte publikisht një vendim në favor të skuadrës së tij.

“E them me sinqeritet të plotë: nëse një ditë ndodh një episod në favorin tonë, nuk do ta kisha asnjë problem ta pranoja publikisht, megjithëse besoj se në shumicën e rasteve do të ndodhë e kundërta, për shkak të prirjes natyrore të gjërave. Nëse deri në El Clasico shfaqet ndonjë pamje e qartë, do të isha kurioz ta shihja”, ka shtuar ai.

Mourinho është pyetur edhe për reagimet ndaj Gülerit pas kontaktit me Peque, por nuk ka dashur të komentojë më tej.

“Nuk kam koment”, ka qenë përgjigjja e tij ndaj deklaratave të trajnerit të Sevillas, Luis García Plaza, i cili mendon se turku duhej të ishte përjashtuar pa hezitim.

Sa i përket paraqitjes së skuadrës, Mourinho është shprehur i kënaqur me fitoren 4-1.

“Dominuam ndaj një skuadre shumë të mirë, duke luajtur futboll të mirë. Është një fitore e bukur”, ka përfunduar trajneri portugez. /Zëri