Flick drejt fitores së 100-të me Barcelonën në Paris

Flick drejt fitores së 100-të me Barcelonën në Paris

Sport October 19, 2026 - 08:24

Trajneri gjerman Hansi Flick është pranë arritjes së një tjetër rekordi historik me Barcelonën. Nëse katalunasit e mposhtin Paris Saint-Germainin të martën në mbrëmje, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve, ai do ta regjistrojë fitoren e 100-të në drejtimin e skuadrës blaugrana.

Flick ka deklaruar në disa raste se nuk ndalet shumë te statistikat dhe rekordet personale. Megjithatë, shifrat e tij te Barcelona janë mbresëlënëse, veçanërisht pas fillimit të shkëlqyer të këtij sezoni.

Që nga ardhja e tij në verën e vitit 2024, trajneri gjerman ka drejtuar Barcelonën në 129 ndeshje zyrtare, ndërsa një fitore ndaj PSG-së do ta çonte në kuotën e 100 triumfeve.

Gjatë kësaj periudhe, ai ka fituar dy tituj të La Ligës, dy Superkupa të Spanjës dhe një Kupë të Mbretit.

Luis Enrique, trajneri i PSG-së, të cilin Flick do ta ketë kundërshtar në Paris, e kishte arritur shifrën e 100 fitoreve pas 126 ndeshjeve me Barcelonën. Ai është trajneri që e ka arritur më shpejt këtë sukses në historinë e klubit katalunas.

Pep Guardiola, ndërkohë, kishte pasur nevojë për 139 ndeshje për të regjistruar 100 fitore. Luis Enrique e përfundoi aventurën e tij te Barcelona me 138 fitore në 181 ndeshje, me një përqindje suksesi prej 76.2 për qind.

Flick është shumë pranë këtyre shifrave, me një përqindje fitoresh prej rreth 77.5 për qind nëse llogaritet edhe fitorja e mundshme ndaj PSG-së.

Një tjetër tregues i rëndësishëm është se Barcelona e tij humbet rrallë. Nga 128 ndeshjet e zhvilluara deri tani, skuadra ka pësuar vetëm 19 humbje dhe ka regjistruar 10 barazime, duke mos u mposhtur në rreth 85 për qind të takimeve.

Atletico Madridi është një prej skuadrave që i ka shkaktuar më së shumti probleme Barcelonës së Flickut, duke e mposhtur tri herë në 10 përballje në La Liga, Ligën e Kampionëve dhe Kupën e Mbretit. Real Madridi, ndërkaq, e ka mposhtur vetëm një herë gjatë kësaj periudhe.

Barcelona po kalon një fillim të jashtëzakonshëm të sezonit. Skuadra e Flickut ka fituar të gjitha 11 ndeshjet zyrtare të zhvilluara deri më tani, duke treguar forcë të madhe sidomos në repartin ofensiv.

Katalunasit kanë shënuar pesë gola ndaj Elches, Rayo Vallecanos, Valencias, Feyenoordit dhe Real Betisit, nga katër ndaj Levantes dhe Galatasarayt, si dhe nga tre ndaj Sevillas dhe Getafes. Kundër Racing Santanderit, Barcelona shënoi plot shtatë gola.

Në total, skuadra ka realizuar 48 gola, një ritëm që e tejkalon atë të sezonit 2011/12, kur Barcelona shënoi 190 gola në 64 ndeshje zyrtare.

Tashmë, Flick synon ta vazhdojë këtë seri edhe në Paris, ku përveç një fitoreje të rëndësishme në Ligën e Kampionëve, mund të arrijë edhe një tjetër moment historik në karrierën e tij te Barcelona. /Zëri