“E pamundur ta mposhtin Barcelonën”, ish-futbollisti anglez e paralajmëron Realin

“E pamundur ta mposhtin Barcelonën”, ish-futbollisti anglez e paralajmëron Realin

Sport October 19, 2026 - 08:39

Java e El Clasicos ka nisur të ndizet, ndërsa deklaratat e ish-futbollistit anglez Troy Deeney kanë tërhequr vëmendjen, pasi ai nuk i sheh favorizuar shanset e Real Madridit për ta mposhtur Barcelonën në përballjen e së dielës.

Pas fitoreve të fundit, Barcelona triumfoi 5-2 ndaj Real Betisit, ndërsa Real Madrid mposhti Sevillan me rezultat 4-1.

Megjithatë, sipas Deeneyt, dy skuadrat po kalojnë momente të ndryshme dhe katalunasit po tregojnë një nivel më të lartë të lojës.

Në emisionin “Golazo” të CBS Sports, ish-sulmuesi anglez ishte i drejtpërdrejtë në vlerësimin e tij për skuadrën e drejtuar nga Jose Mourinho.

“Është e pamundur që ta mposhtin Barcelonën. Real Madridi është një ekip i mbushur me individualitete, përballë skuadrës më të mirë”, deklaroi Deeney, duke komentuar shanset e madrilenëve në El Clasico.

Ai shkoi edhe më tej, duke parashikuar se ndeshja mund të karakterizohet nga tensionet dhe kartonët e kuq, duke pasur parasysh temperamentin e trajnerit portugez.

“Duke e njohur Mourinhon, mund të ketë edhe ndonjë karton të kuq”, u shpreh anglezi.

Diomande e vendos Mourinhon para një dileme

Deeney foli edhe për paraqitjen e Yan Diomandes, i cili ka lënë përshtypje të mira dhe mund t’i krijojë një problem të rëndësishëm Mourinhos kur Vinicius Junior të rikthehet pas përfundimit të pezullimit.

Sipas tij, trajneri portugez do të duhet të vendosë se si do ta menaxhojë rikthimin e brazilianit, veçanërisht nëse Diomande vazhdon të luajë në nivelin e treguar së fundmi.

“Mourinho do të duhet të mendojë se çfarë të bëjë me Viniciusin kur t’i përfundojë pezullimi, pas paraqitjes së jashtëzakonshme të Diomandes. Ai do ta vendosë në një pozitë të vështirë. Nëse Viniciusi nuk luan dhe qëndron në stol, kjo bëhet problem”, deklaroi Deeney.

Real Madridi do ta ketë mundësinë ta japë përgjigjen në fushë të dielën, në një përballje që mund të ketë ndikim të madh në garën për titullin e La Ligës.

Barcelona hyn në këtë javë me gjashtë pikë epërsi ndaj madrilenëve dhe me synimin për ta konfirmuar formën e shkëlqyer edhe në duelin më të rëndësishëm të sezonit. /Zëri