Mjegulla ia vonon Barcelonës udhëtimin drejt Parisit

Mjegulla ia vonon Barcelonës udhëtimin drejt Parisit

Sport October 19, 2026 - 11:38

Pas vështirësive të përjetuara në kthimin nga Sevilla, skuadra e Hansi Flickut përballet me një tjetër vonesë në udhëtim, këtë herë për shkak të mjegullës së dendur në aeroportin e Parisit.

Barcelona po përballet me një tjetër pengesë në udhëtimet e saj, në një moment kur e pret një javë shumë e rëndësishme e sezonit.

Pas problemeve të së shtunës në Sevilla, ku skuadra qëndroi për rreth tri orë brenda aeroplanit pas fitores 5-2 ndaj Betisit, për shkak të stuhive që goditën Barcelonën, ekipi katalanas nuk ka mundur të niset drejt Parisit në orarin e planifikuar.

Sipas “Mundo Deportivo”-s, mjegulla e dendur në aeroportin "Charles de Gaulle" ka shkaktuar vonesa në nisjen e fluturimit të Barcelonës. Ekspedita katalanase, e udhëhequr nga presidenti Joan Laporta, duhej të nisej në orën 10:30, por fluturimi u shty për më shumë se një orë.

Edhe fluturimet e tjera drejt Parisit janë prekur nga kushtet atmosferike, me vonesa që kanë arritur deri në një orë e gjysmë në aeroportin "Orly".

Flick duhet të përshtatë përgatitjet

Pavarësisht vonesës, Barcelona synon ta ruajë programin e paraparë për përgatitjet para ndeshjes së rëndësishme kundër Paris Saint-Germainit në Ligën e Kampionëve.

Nëse nuk paraqitet ndonjë pengesë tjetër, konferenca për media e Hansi Flickut dhe Pedrit është planifikuar për në orën 17:45. Pas saj, skuadra do ta zhvillojë stërvitjen e fundit në stadiumin “Parc des Princes”, ku të martën do të përballet me PSG-në.

Në këtë duel do të jetë në lojë kreu i renditjes së Ligës së Kampionëve, çka e bën edhe më të rëndësishme përgatitjen e Barcelonës.

Kështu, pas natës së papritur të kaluar në Sevilla dhe ndryshimeve në programin e stërvitjeve, skuadra katalanase duhet të menaxhojë edhe vonesën e re në udhëtimin drejt kryeqytetit francez.