Messi ia dha lamtumirën Argjentinës, por jo edhe futbollit: Tek Inter Miami do ta shohim deri në vitin 2028
Lionel Messi ia ka dhënë lamtumirën përfundimisht Kombëtares së Argjentinës, të paktën sa i përket karrierës si futbollist, por kjo nuk nënkupton tërheqjen e tij nga futbolli.
“Pleshti” do ta vazhdojë aventurën në MLS me Inter Miamin, klub ku luan që nga viti 2023 dhe me të cilin ka kontratë deri më 31 dhjetor 2028.
Kontrata me Inter Miamin
Messi ka një pagë bazë prej rreth 10.66 milionë eurosh në sezon, ndërsa me bonuset e parashikuara në kontratë, shifra arrin në rreth 18.21 milionë euro.
Megjithatë, kostoja totale për klubin amerikan është shumë më e lartë.
Pronari i Inter Miamit, Jorge Mas, ka treguar së fundmi për “Bloomberg” se klubi paguan për Messin një shumë totale prej 62.2 deri në 71.08 milionë eurosh në vit.
“Messi vlen çdo cent”, është shprehur Masi.
Çfarë përfshihet në këtë shumë?
Në paketën financiare të Messit përfshihet edhe një përqindje e aksioneve të Inter Miamit, të cilën argjentinasi e ka siguruar në kuadër të marrëveshjes së tij me klubin.
Kjo pjesë e marrëveshjes lidhet me vlerën e klubit dhe do të aktivizohet në momentin kur tetë herë fituesi i “Topit të Artë” të vendosë t'i japë fund karrierës.
Sa më shumë të rritet vlera e Inter Miamit, aq më e madhe pritet të jetë edhe vlera e kësaj pjese të aksioneve.
Përveç kësaj, Messi ka marrëveshje të shumta personale sponsorizimi, ndër të tjera me Fanatics dhe Apple, të cilat i shtohen të ardhurave të tij.
Kështu, edhe pse Messi ka mbyllur kapitullin me Argjentinën, aventura e tij në futboll vazhdon të paktën edhe për dy vite të tjera në Shtetet e Bashkuara. /Zëri