Evertoni do të pendohet për Zhegrovën, ylli kosovar po shkëlqen me Juventusin dhe Kosovën
Evertoni mund të pendohet që nuk e transferoi Edon Zhegrovën gjatë verës, pasi sulmuesi kosovar po kalon një formë të shkëlqyer me Juventusin dhe Kombëtaren e Kosovës.
Zhegrova kishte qenë në radarin e klubit anglez që prej dimrit të kaluar dhe interesi vazhdoi edhe gjatë merkatos së verës.
Madje, Evertoni kishte diskutuar me Juventusin mundësinë e një huazimi me shkëmbim, ku Beto do të transferohej në Torino në janar, por marrëveshja nuk u realizua.
27-vjeçari ishte pranë largimit nga Juventusi para fillimit të këtij sezoni, por qëndrimi i tij në Torino tashmë duket se ishte vendimi i duhur.
Zhegrova ka nisur sezonin në mënyrë mbresëlënëse, duke realizuar dy gola dhe një asistim në katër paraqitje për Juventusin.
Edhe me Kosovën, anësori ka vazhduar formën e mirë. Ai shënoi ndaj Austrisë në ndeshjen e parë dhe asistoi në sfidën e kthimit, duke qenë ndër lojtarët më të dalluar të ekipit.
Në ndeshjen e së dielës ndaj Austrisë, Zhegrova ishte vendimtar në aksionin e golit të Kosovës, duke depërtuar bukur nga krahu i djathtë dhe duke asistuar për Fisnik Asllanin.
Por statistikat e tij ishin edhe më mbresëlënëse. Zhegrova realizoi tetë driblime, më shumë se çdo lojtar tjetër në fushë, pati 58 prekje të topit, kreu gjashtë ndërhyrje dhe rikuperoi topin në gjashtë raste.
Për më tepër, ai fitoi 15 nga 19 duelet e tij, duke qenë lojtari me më së shumti duele të fituara në ndeshje.
Nëse Evertoni do ta kishte transferuar, Zhegrova do të ishte një përforcim i rëndësishëm për skuadrën e David Moyes, sidomos duke marrë parasysh problemet që ekipi ka shfaqur në fazën ofensive.
Tashmë, megjithatë, situata është ndryshe. Forma e Zhegrovës ka rritur ndjeshëm vlerën e tij dhe Evertoni duket se e ka humbur një mundësi të artë për ta transferuar atë.
Spalletti: Zhegrova bëhet i pandalshëm
Edhe trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka folur me superlativa për cilësitë e kosovarit.
“Edoni ka këtë cilësi – bëhet i pandalshëm dhe i paparashikueshëm kur krijon situata një kundër një në hapësira të ngushta”, deklaroi Spalletti.
Zhegrova ende nuk e ka nisur një ndeshje të Serie A si titullar këtë sezon, por pas golave të shënuar si zëvendësues dhe paraqitjeve të tij me Kosovën, kjo pritet të ndryshojë së shpejti.
Evertoni, ndërkohë, mund të pendohet edhe më shumë për vendimin për të mos e transferuar yllin kosovar. /Zëri