Ballkani del fitues nga Skënderaj

Ballkani del fitues nga Skënderaj

Sport August 28, 2026 - 19:06

Ballkani ka shënuar fitore në udhëtim ndaj Drenicës, duke triumfuar me rezultat 2:0 në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj.

Pjesa e parë e ndeshjes është mbyllur pa gola, me të dyja skuadrat që nuk kanë arritur të konkretizojnë rastet e krijuara.

Ballkani e ka zhbllokuar rezultatin në minutën e shtatëdhjetë, kur mbrojtësi Abou Dosso ka realizuar për 1:0.

Kur ndeshja po shkonte drejt përfundimit, mesfushori Leart Popaj ka shënuar edhe golin e dytë për mysafirët. Ai ka realizuar në minutën e nëntëdhjetë e tretë, duke vulosur fitoren 2:0 të skuadrës nga Suhareka.

Me këtë fitore, Ballkani ka arritur në gjashtë pikë dhe aktualisht gjendet në pozitën e dytë në tabelën e Superligës së Kosovës, me pikë të barabarta me liderin Gjilani.

Ndërsa, Drenica mbetet në pozitën e shtatë me dy pikë.

Superliga e Kosovës vazhdon gjatë fundjavës me katër ndeshje të tjera. Të shtunën, Feronikeli 74 e pret Malishevën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, me fillim nga ora 16:30, ndërsa Gjilani përballet me Dukagjinin në terrenin me bar sintetik në Gjilan, nga ora 19:00.

Të dielën, nga ora 16:30, Vushtrria do të jetë nikoqire e Dritës, ndërsa në mbrëmje zhvillohet derbi mes Prishtinës dhe Llapit. Ndeshja në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë nis nga ora 19:00.