Serbia e tërheq ekipin e basketbollit, shmanget përballja me Kosovën në Taranto

Serbia e tërheq ekipin e basketbollit, shmanget përballja me Kosovën në Taranto

Sport August 27, 2026 - 09:55

Serbia ka vendosur ta tërheqë ekipin në basketbollin 3x3, ku ishte planifikuar dueli me Kosovën.

Organizatori ka njoftuar për ndryshimet në orarin e transmetimeve të lojërave mesdhetare "Taranto 2026“, pas tërheqjes së Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut nga gara e basketbollit 3x3.

Vendimi i Serbisë tërheq vëmendje të veçantë për Kosovën, pasi përfaqësuesja serbe ishte shortuar në të njëjtin grup me Kosovën, ndërsa dy ekipet kishin të planifikuar përballjen më 29 gusht.

Unioni i Transmetuesve Evropianë - EBU ka komunikuar se, si pasojë e tërheqjeve, është ndryshuar orari i garave dhe versioni i ri zëvendëson atë të shpërndarë më herët.

Edhe pse nuk është dhënë ndonjë arsye zyrtare që tërheqjen e Serbisë ta lidhë me Kosovën, koha dhe rrethanat e tërheqjes kanë ngritur pikëpyetje, pasi Serbia në të kaluarën, veçanërisht në sportet ekipore, ka shmangur pjesëmarrjen në gara ku është përballur me Kosovën, apo ka kërkuar short pjesërisht të dirigjuar për të mos u vendosur në të njëjtin grup.

Kështu, me tërheqjen e Serbisë, nuk do të zhvillohet as përballja e planifikuar më 29 gusht, Kosovë–Serbi në basketbollin 3x3.

Vëmendja tani është edhe te boksi. Mbetet të shihet nëse sot do të ketë zhvillime të ngjashme edhe në finalen e kategorisë deri në 60 kilogramë për femra, ku Donjeta Sadiku do të përballet me rusen me pasaportë serbe, Kristina Kuhulova.

Sadiku synon medaljen e artë në Taranto, në një tjetër përballje që e vendos Kosovën përballë një sportisteje me lidhje me Serbinë.

Meçi i Donjeta Sadikut vjen në transmetim të drejtpërdrejt në RTK, sot në orën 17:15.

Image