Karim Adeyemi së bashku me Loredanën mbërrin në Barcelonë, gati të bëhet përforcimi i ri i katalanasve

Karim Adeyemi së bashku me Loredanën mbërrin në Barcelonë, gati të bëhet përforcimi i ri i katalanasve

Sport July 15, 2026 - 19:42

Karim Adeyemi tashmë ndodhet në Barcelonë dhe është vetëm një hap larg zyrtarizimit si futbollist i ri i skuadrës së Hansi Flickut.

Sulmuesi gjerman mbërriti në kryeqytetin katalanas të mërkurën pasdite, pak pas orës 16:30, për të përfunduar procedurat e fundit përpara transferimit të tij te Barcelona. AI ishte i shoqëruar nga gruaja e tij, Loredana, artistja e njohur shqiptare.

Sipas raportimeve nga Spanja, Adeyemi do t’i nënshtrohet kontrollit mjekësor të enjten dhe, nëse gjithçka shkon sipas planit, do të nënshkruajë kontratën me klubin katalanas menjëherë pas ekzaminimeve.

Marrëveshja me Dortmundin është arritur

Pas disa ditësh negociatash intensive mes Barcelonës dhe Borussia Dortmundit, palët kanë finalizuar transferimin e sulmuesit.

Klubi katalanas do të paguajë 22 milionë euro si shumë fikse, ndërsa marrëveshja përfshin edhe 7 milionë euro bonuse, duke e çuar vlerën totale të operacionit në 29 milionë euro.

Në fakt, marrëveshja ishte arritur në parim që javën e kaluar, ndërsa gjatë ditëve të fundit janë përfunduar detajet financiare dhe dokumentacioni i nevojshëm për transferimin.

Për këtë arsye, Adeyemi nuk iu bashkua përgatitjeve parasezonale të Borussia Dortmundit, duke marrë leje nga klubi gjerman derisa të përfundonte kalimi i tij në Camp Nou.

Gati për t’iu bashkuar skuadrës së Flickut

Pas nënshkrimit të kontratës dhe zyrtarizimit nga Barcelona, sulmuesi pritet t’i bashkohet menjëherë stërvitjeve të skuadrës. Sipas planit aktual, ai mund të zhvillojë seancën e parë stërvitore me ekipin që të premten. Megjithatë, prezantimi zyrtar para mediave dhe tifozëve do të shtyhet për javën e ardhshme.

Arsyeja është mungesa e presidentit Joan Laporta, i cili ndodhet në Shtetet e Bashkuara për ndeshjet e Kupës së Botës 2026. Ceremonia zyrtare e prezantimit të Adeyemit pritet të organizohet sapo Laporta të rikthehet në Barcelonë.

Me ardhjen e tij, Adeyemi pritet të bëhet përforcimi i dytë i Barcelonës për sezonin e ri, ndërsa Hansi Flick vazhdon ndërtimin e skuadrës për edicionin e ardhshëm. /telegrafi