Paulo Dybala e rinovon kontratën me Romën

Paulo Dybala e rinovon kontratën me Romën

Sport July 13, 2026 - 17:50

Paulo Dybala ka bërë të ditur se nënshkrimi i kontratës së re me Romën ishte “ajo që dëshironim të gjithë” dhe mezi pret ta vazhdojë karrierën e tij në stadiumin “Olimpico”.

Vendimi ishte në ajër prej shumë javësh, edhe pse kontrata e tij teknikisht kishte skaduar më 30 qershor.

Ai kishte shumë oferta të tjera, përfshirë nga Boca Juniors, klubi që e do prej fëmijërisë, si dhe paga shumë të larta të ofruara nga klubet e Ligës Profesionale të Arabisë Saudite.

Megjithatë, ai vendosi të nënshkruajë një kontratë të re me Romën me një pagë të reduktuar prej rreth 3 milionë eurosh në sezon, e vlefshme deri në qershor të vitit 2027.

“Kjo histori vazhdon, dhe kjo është ajo që dëshironim të gjithë”, tha Dybala për faqen zyrtare të klubit.

“Klubi, unë dhe shpresoj edhe tifozët. Jam i lumtur që do të kaloj edhe një sezon këtu, në këtë qytet dhe në këtë vend, dhe që do të kem mundësinë të mbroj fanellën e Romës, që është një privilegj”, shtoi ai.

Një faktor që ndikoi në vendimin e tij për të qëndruar ishte edhe fakti se Roma u kualifikua në Ligën e Kampionëve, duke u rikthyer në garën më të madhe evropiane pas shtatë vitesh mungesë.

“Roma do të thotë shumë gjëra për mua: përgjegjësi, nder dhe bukuri. Edhe në aspektin personal, të gjitha këto elemente më mbajtën këtu dhe është një nder i madh ta vesh këtë fanellë”, u shpreh ai.

Dybala u pyet gjithashtu nëse kishte një mesazh për tifozët, sidomos pasi abonimet sezonale u shitën me mijëra që në ditën e parë.

“Jam i lumtur që do të jem sërish me ju edhe sezonin e ardhshëm dhe mezi pres t’ju shoh në ‘Olimpico’ dhe në ndeshjet jashtë fushe, veçanërisht kur të dëgjohet ajo muzika e mrekullueshme që të gjithë prisnim ta dëgjonim, në mënyrë që t’ju bëjmë krenarë në netët evropiane”, e mbylli Dybala.

Sulmuesi argjentinas 32-vjeçar iu bashkua Romës si lojtar i lirë nga Juventusi në vitin 2022, pasi kishte mbërritur fillimisht në Itali te Palermo në vitin 2012.