Argjentina mposht Zvicrën, marshon drejt mbrojtjes së titullit

Argjentina mposht Zvicrën, marshon drejt mbrojtjes së titullit

Sport July 12, 2026 - 08:10

Argjentina vazhdon marshimin drejt mbrojtjes së titullit.

Pas një ndeshjeje plot emocione, ritëm dhe kthesa, “Albicelestet” mposhtën Zvicrën me rezultat 3:1 pas vazhdimeve, duke siguruar një vend në gjysmëfinale, ku do të përballen me Anglinë në një duel të shumëpritur.

Kampionët në fuqi e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë, duke kaluar në epërsi me golin e Alexis Mac Allister. Megjithatë, Zvicra nuk u dorëzua dhe reagoi me Dan Ndoye, i cili riktheu baraspeshën dhe e mbajti ndeshjen të hapur deri në fund të kohës së rregullt.

Argjentina dominoi pjesën më të madhe të lojës, por hasi vështirësi për të thyer mbrojtjen e organizuar të zviceranëve. Në anën tjetër, Emiliano Martinez ishte vendimtar me disa pritje të rëndësishme që e mbajtën skuadrën e tij në garë, transmeton Klankosova.tv.

Situata ndryshoi kur Breel Embolo u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Zvicrën me dhjetë futbollistë. Megjithatë, “Nati” tregoi karakter të madh dhe vazhdoi të rezistonte e të krijonte raste edhe gjatë vazhdimeve, pavarësisht disavantazhit numerik.

Momenti që vendosi fatin e sfidës erdhi në minutën e 112-të, kur Julian Alvarez realizoi një supergol për t’i dhënë epërsinë Argjentinës. Në sekondat e fundit të ndeshjes, në minutën e 122-të, Lautaro Martinez vulosi fitoren me një goditje të saktë në këndin e poshtëm të djathtë, pasi përfitoi nga një top i kthyer jashtë zonës.

Me këtë fitore 3:1 pas vazhdimeve, Argjentina siguron kualifikimin në gjysmëfinale, ku do të përballet me Anglinë në një nga ndeshjet më të mëdha të turneut.