“Meditimi i vashës” i Rexhep Goçit ekspozohet në Galerinë Kombëtare të Kosovës

“Meditimi i vashës” i Rexhep Goçit ekspozohet në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Kultura August 21, 2026 - 13:58

Galeria Kombëtare e Kosovës po sjell në vëmendje veprën “Meditimi i vashës” (1984) të artistit dhe kuratorit Rexhep Goçi, si pjesë e ekspozitës “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë”, kuruar nga Hana Halilaj.

Rexhep Goçi, i lindur në vitin 1947, zë një vend të rëndësishëm në historinë e Galerisë Kombëtare të Kosovës, si përmes veprimtarisë së tij artistike, ashtu edhe asaj institucionale. Ai ka qenë pjesë e institucionit që nga themelimi i tij dhe ka kontribuar në zhvillimin e koleksionit, organizimin e ekspozitave dhe hartimin e teksteve kritike e kuratoriale.

Në veprimtarinë e tij si piktor, Goçi zhvilloi një gjuhë vizuale të qetë dhe simbolike. Në veprën “Meditimi i vashës”, një figurë femërore e shtrirë paraqitet përmes formave të buta dhe të zgjatura, e vendosur në një peizazh të hapur me tone të zbehta blu, jeshile dhe vjollcë.

Figura ndërthuret me peizazhin përreth, duke krijuar një raport të veçantë mes trupit dhe natyrës. Pemët e zhveshura dhe horizonti i largët i japin veprës një atmosferë të qetë dhe soditëse.

Sipas Galerisë, vepra e paraqet meditimin si një gjendje pezullie, ku trupi dhe toka duket sikur ndajnë të njëjtën strukturë të heshtur dhe të qetë.

Ekspozita “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë” do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 26 gusht 2026 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. /kultplus