Çabrati përmes penelit të Bedri Emrës, në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Çabrati përmes penelit të Bedri Emrës, në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Kultura August 18, 2026 - 13:07

Vepra “Peizazh Çabrati” (1984) e artistit Bedri Emra është pjesë e ekspozitës “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë”, e kuruar nga Hana Halilaj, në Galerinë Kombëtare të Kosovës.

Emra i është rikthyer vazhdimisht Çabratit, kodrës që shtrihet mbi Gjakovë, duke e trajtuar përmes vijës, ngjyrës së shtresuar dhe ritmit. Në veprat “Çabrati” dhe “Peizazh Çabrati”, kodra paraqitet njëkohësisht si një hapësirë e vëzhguar dhe e ruajtur në kujtesë.

E gjelbra, bluja, okri dhe konturet e errëta krijojnë një terren të dendur dhe të strukturuar. Edhe pse konturet janë të buta, peizazhi duket i ndërtuar me vendosmëri, përmes një vështrimi të përsëritur ndaj të njëjtit vend.

Përtej paraqitjes së një hapësire gjeografike, Çabrati në veprën e Emrës shndërrohet në një pikë të kujtesës, vazhdimësisë dhe qëndresës. Në shkrimet e vetë artistit, ai përshkruhet si një “kala e qëndresës”.

Ekspozita “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të Tashmen e njëjtë” do të qëndrojë e hapur deri më 26 gusht 2026 në Galerinë Kombëtare të Kosovës. /kultplus

Image