Ben Blushi propozon një film ndërkombëtar për Skënderbeun: Ky është filmi që i duhet Evropës sot

Ben Blushi propozon një film ndërkombëtar për Skënderbeun: Ky është filmi që i duhet Evropës sot

Kultura August 21, 2026 - 11:20

Shkrimtari dhe analisti i njohur shqiptar, Ben Blushi, ka propozuar realizimin e një filmi ndërkombëtar me përmasa hollivudiane për Gjergj Kastriot Skënderbeun, duke e parë këtë projekt jo vetëm si një mundësi për promovimin e Shqipërisë dhe zhvillimin e turizmit, por edhe si një mënyrë për të rikthyer vetëbesimin te shqiptarët.

Në një opinion të publikuar në “Zëri”, Blushi e lidh idenë e tij me suksesin e filmit “Odisea” të Christopher Nolan, duke argumentuar se një produksion i madh kinematografik mund të ketë ndikim përtej ekranit, duke nxitur turizmin, interesin ndërkombëtar dhe imazhin e një vendi.

Sipas tij, Shqipëria nuk ka një figurë më të përshtatshme për një projekt të tillë sesa Skënderbeun.

“Ne nuk kemi një Odise, por kemi një legjendë që mund të kthehej në një super film me përmasa ndërkombëtare. Ky është pa dyshim Skënderbeu”, shkruan Blushi.

Ai argumenton se historia e heroit kombëtar shqiptar, për shkak të përballjes së tij me Perandorinë Osmane dhe rolit që i atribuohet në mbrojtjen e Evropës, mund të shndërrohej në një rrëfim me interes ndërkombëtar.

“Ky është filmi që i duhet Evropës sot. Historia e Skënderbeut, Mbajtësit të Hordhive, Penguesit të Madh”, shprehet Blushi.

Në opinionin e tij, ai propozon që projekti të financohet përmes një kombinimi të fondeve publike dhe private. Blushi sugjeron edhe një fushatë mbarëkombëtare për mbledhjen e fondeve nga shqiptarët në diasporë.

Sipas përllogaritjes së tij, nëse shtatë milionë shqiptarë do të dhuronin mesatarisht nga 10 dollarë, do të mblidheshin rreth 70 milionë dollarë. Ai e sheh të mundur që, së bashku me kontributin e shtetit dhe donatorëve të mëdhenj privatë, buxheti i një produksioni të tillë të arrinte në rreth 150 milionë dollarë.

Blushi kujton se Skënderbeu është trajtuar më herët në kinematografi, duke iu referuar filmit të vitit 1953, realizuar nga sovjetikët, ku rolin e heroit shqiptar e luajti aktori Akaki Horava.

Por, sipas tij, një produksion i ri do të duhej të ishte një film ndërkombëtar, me aktorë dhe regjisorë të njohur të kinemasë botërore.

Blushi e sheh filmin edhe si një mundësi për t’u dhënë jetë personazheve të tjera të historisë së Skënderbeut, përfshirë Donika Kastriotin, Mamicën, Hamzain dhe Aranit Komnenin.

“Hollywoodi mund të na i krijonte me galerinë e aktorëve të mëdhenj”, shkruan ai.

Në vizionin e tij, një film i suksesshëm për Skënderbeun do të mund të ndikonte edhe në turizëm, duke e kthyer Krujën dhe vendet historike të lidhura me heroin kombëtar në destinacione me interes ndërkombëtar.

“Kinematë e botës do tejmbusheshin, Kruja do bëhej qyteti më i vizituar mbi tokë, vendet ku ka luftuar Skënderbeu do të ktheheshin në pelegrinazh dhe Shqipëria do t’u dukej njerëzve si një tokë heronjsh”, shkruan Blushi.

Në fund të opinionit, ai e thekson se motivimi për një projekt të tillë nuk duhet të jetë vetëm ekonomik apo turistik. Sipas tij, shqiptarët kanë nevojë për figura historike që mund të shërbejnë si modele pozitive.

“Ne kemi nevojë për Skënderbeun, sa ç’kanë nevojë grekët për Odiseun”, përfundon Blushi, duke shtuar se një film i tillë do t’u jepte shqiptarëve “pak besim” dhe “pak vetëbesim”.