Nga refugjat lufte në autor bestseller në Gjermani, rrugëtimi frymëzues i Toni Hisenajt që iku si fëmijë nga lufta në Kosovë
Në moshën 12-vjeçare u largua nga Kosova për shkak të luftës. Sot emri i tij renditet në një nga listat më prestigjioze të librit në Gjermani. Ka histori që frymëzojnë.
Dhe pastaj ka histori që sfidojnë çdo parashikim. Kur familja e tij u detyrua të largohej nga Kosova gjatë luftës, Toni Hisenaj ishte vetëm 12 vjeç.
Askush nuk mund ta imagjinonte se dekada më vonë, emri i tij do të renditej në SPIEGEL Bestsellerliste – lista më prestigjioze e librave në Gjermani dhe një nga referencat më të rëndësishme të industrisë botuese gjermane.
Me librin e tij "Aus Fremden werden Freunde – Warum Integration gelingen muss und ëie sie gelingen kann", Toni Hisenaj ka arritur një sukses që për shumicën e autorëve mbetet një ëndërr. Në një treg ku çdo vit publikohen dhjetëra mijëra tituj të rinj dhe ku konkurrojnë autorët më të njohur të vendit, hyrja në SPIEGEL Bestsellerliste konsiderohet një vulë e jashtëzakonshme suksesi.
Për publikun shqiptar, kjo arritje ka një domethënie të veçantë. Historia e Toni Hisenajt nuk është vetëm historia e një libri. Është historia e një djali nga Kosova që u detyrua të niste jetën nga e para në një vend të huaj dhe që sot po bëhet pjesë e debatit publik në një nga shtetet më të fuqishme të Evropës. Libri trajton një nga temat më të rëndësishme të Gjermanisë moderne: integrimin. Por ndryshe nga shumë autorë që e trajtojnë këtë çështje nga perspektiva akademike apo politike, Hisenaj shkruan nga përvoja personale.

Ai rrëfen sfidat e integrimit, pengesat burokratike, përballjen me një kulturë të re dhe rëndësinë e krijimit të një shoqërie ku të ardhurit jo vetëm pranohen, por kanë mundësi të kontribuojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre. Pikërisht ky kombinim mes historisë personale dhe një teme që prek miliona njerëz duket se ka bërë që libri të gjejë jehonë të madhe te lexuesit gjermanë. Në ditët e fundit, libri dhe autori kanë qenë pjesë e intervistave, diskutimeve dhe paraqitjeve publike, duke e kthyer historinë e Toni Hisenajt në një histori që po dëgjohet shumë përtej komunitetit shqiptar. Përtej suksesit letrar, kjo histori mbart një simbolikë të fuqishme. Rrallë ndodh që historia e një fëmije të larguar nga Kosova për shkak të luftës të përfundojë në SPIEGEL Bestsellerliste. Edhe më rrallë që përvoja e tij personale të shndërrohet në një libër që lexohet dhe diskutohet në mbarë Gjermaninë.
Nga një fëmijë që u detyrua të largohej nga vendlindja, në një sipërmarrës të suksesshëm, autor dhe emër në SPIEGEL Bestsellerliste – rrugëtimi i Toni Hisenajt është dëshmi se edhe kapitujt më të vështirë të jetës mund të shndërrohen në histori të jashtëzakonshme suksesi. /Zëri
