Filmi “Krejt e thirrin Rexhën” përfaqëson kinemanë në Panoramën e Filmit të Maqedonisë së Veriut në Pekin
Filmi “Krejt e thirrin Rexhen”, me regji të Ibër Dearit, është përzgjedhur të marrë pjesë në Panoramën e Filmit të Maqedonisë së Veriut, e cila do të mbahet nga sot, 5 deri më 14 qershor 2026 në Pekin, Kinë.
Ngjarja organizohet në bashkëpunim me institucione kulturore dhe kinematografike të Kinës dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa shfaqjet do të zhvillohen në Dolby Cinema Beijing, një nga kinematë më prestigjioze të kryeqytetit kinez.
Në kuadër të kësaj panorame do të prezantohen disa nga filmat më të njohur të kinemasë maqedonase, duke përfshirë “Honeyland”, “Before the Rain”, “DJ Ahmet”, “Jon Vardar vs the Galaxy”, “Pipi and Muto”, “Silent Cinema” dhe “Krejt e thirrin Rexhen”.
Pjesëmarrja e filmit në këtë program përfaqëson një mundësi të rëndësishme për prezantimin e kinemasë shqiptare dhe asaj të Maqedonisë së Veriut para publikut kinez, duke e vendosur atë në mesin e veprave që përfaqësojnë rajonin në një nga tregjet më të mëdha filmike në botë.
Filmi, i cili tashmë ka tërhequr vëmendje në festivale ndërkombëtare dhe ka fituar çmime të rëndësishme, vazhdon rrugëtimin e tij ndërkombëtar me këtë prezantim në Pekin. /kultplus
