Posta e Kosovës lanson pullën postare “Engjëjt e Lirisë – Leotrimi i vogël”
Posta e Kosovës ka vënë në qarkullim emisionin e ri filatelik “Engjëjt e Lirisë – shtatorja ‘Leotrimi i vogël’”, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Fëmijëve Viktima të Pafajshëm të Agresionit.
Sipas njoftimit, kjo ditë shërben si kujtesë globale për vuajtjet e fëmijëve të prekur nga luftërat dhe konfliktet e armatosura. Në këtë kuadër, emisioni filatelik i kushtohet kujtimit të fëmijëve që humbën jetën gjatë luftës në Kosovë dhe synon të theksojë rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike, respektimit të të drejtave të fëmijëve dhe promovimit të paqes.
Pulla postare paraqet shtatoren “Leotrimi i vogël”, kushtuar Leotrim Ahmetit, emri i të cilit është shndërruar në simbol të kujtesës për fëmijët e vrarë gjatë luftës në Kosovë.

Përmes këtij motivi filatelik, Posta e Kosovës synon të rikujtojë rëndësinë e mbrojtjes së fëmijëve dhe të ndërtimit të një shoqërie të bazuar në paqe, dinjitet dhe solidaritet.
Në njoftim thuhet se filatelia shërben si mjet për dokumentimin dhe përcjelljen e temave dhe ngjarjeve me rëndësi historike e shoqërore te brezat e ardhshëm, duke kontribuar në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe promovimin e vlerave universale.
Për realizimin e pullës është përdorur pamja e shtatores “Leotrimi i vogël”, vepër e skulptorit Sabri Behramaj, e siguruar nga Komuna e Skenderajt.
Sipas Postës së Kosovës, emisioni filatelik do të mbetet në qarkullim postar deri në konsumimin e plotë të tirazhit./Zëri
