Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, thesar unik i trashëgimisë kulturore

Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, thesar unik i trashëgimisë kulturore

Kultura April 18, 2026 - 17:03

Turistët vendas e të huaj që vizitojnë Korçën në çdo ditë të vitit nuk largohen pa vizituar edhe Muzeun e Artit Mesjetar, një thesar unik me një nga koleksionet më të mëdha të ikonave në Ballkan.

Ky muze ruan një trashëgimi të vyer duke reflektuar një pasuri të jashtëzakonshme kulturore. Ai u hap më 26 prill 1980 në Korçë, me një fond fillestar prej rreth 6.000 ikonash të mbledhura nga e gjithë Shqipëria.

Sot, muzeu administron 8.265 objekte, nga të cilat 6.400 janë ikona, duke përfaqësuar një nga koleksionet më të mëdha të artit ikonografik bizantin dhe post-bizantin në botë (shek. XIII–XX).

Këto artefakte janë dëshmi e qartë e pasurisë sonë artistike dhe trashëgimisë kulturore. Pas një periudhe të gjatë mesjetare, të një histori mbijetese, të popullit tonë, të një lufte të pafund, ku sundues të ndryshëm gjithmonë kanë tentuar për të përvetësuar apo nënvlerësuar trashëgiminë tonë kulturore, dhe falë disa heronjve të kohës diktatoriale, të cilët arritën të shpëtonin një numër të konsiderueshëm ikonash, nga shkatërrimi i ideologjisë komuniste, ne sot mund të admirojmë Artin Bizantin në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar.

Në muze ruhen ikona në dru apo relieve të gdhendura në gur, ku vizitorët mund t’i zbulojnë ato jo vetëm si objekte fetare dhe të njihen me traditat, besimet dhe ritualet, por të zbulojnë në to dhe artin e vërtetë figurativ që është kultivuar në shekuj. Mund të zbulojnë teknikat, temat, jetën e përditshme, kostumet, traditat dhe mbi të gjitha të dalin në pah shprehjet individuale të artistëve të cilët kanë shënuar një emër jo vetëm në ikonografinë shqiptare, por edhe në artin vizual.

Përgjatë kohës së diktaturës, ku lufta kundrejt fesë, besimit religjoz, objekteve të kultit ishte kthyer në qëllimin kryesor, Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar, u strehua pikërisht nën kupolën e një prej kishave kryesore të qytetit të Korçës, “Burimit Jetëdhënës”, e cila, qoftë në mënyrë simbolike, por edhe të drejtëpërdrejtë, i dhuroi dhe mbajti në jetë shumë vlera të vërteta besimi, historike, artistike, dhe dëshmoi një traditë dhe kulturë të popullit tonë ndër shekuj.

Tashmë MKAM, prej vitit 2016, ndodhet në një ndërtesë bashkëkohore, me të gjitha parametrat e duhur, për një ekspozim dhe konservim, restaurim, ideal të këtyre vlerave të paçmueshme.

Arti Mesjetar reflektohet në harmoni me arkitekturën moderne. Mbizotërojnë ngjyrat bizantine, njëkohësisht dhe mistika e një bote tjetër, duke e sjellë eksperiencën në muze krejt të veçantë dhe shumë mbresëlënëse.

Salla e artë është e para me të cilën prezantohet vizitori në MKAM. Ajo është konceptuar si një prezantim befasues me pasurinë e objekteve, larminë e stileve dhe veprat e ekspozuara ngjitur me njëra tjetrën e godasin vizitorin si një e vetme. Këtu janë ekspozuar që nga afresku i transplatuar i Onufrit deri te ikonat e fillim shekullit të njëzetë. Baldakinë, Dyer të Bukura, kryqe , imazhe të Krishtit e Virgjëreshës, Shenjtorë e Strategë, etj.

Në sfondin e artë që evokon sfondet e ikonave qëndrojnë krahas veprave anonime ikonat e mrekullueshme të Kostandin Shpatarakut e të të murgut Kostandin, të vëllezërve Zografi e të atyre Çetiri.

Në sallën Ballkoni janë ekspozuar ikonat e periudhës bizantine që datojnë ne shekujt XIV-XV. Ka disa faktorë që veprat e kësaj periudhe janë të pakta.

Pikturat më të vjetra të   artit kishtar që kanë mbijetuar deri më sot janë disa piktura murale që I takojnë shek XIII. Ikonat e lëvizshme të ekspozuara këtu janë të periudhës bizantine dhe disa të shek XV. Gjatë këtij shekulli pas rënies të Kostandinopojës më 1453 nuk ka produkt artistik të rëndësishëm.

Në pavionin Labirinthi i Zi janë ekspozuar vepra nga më të rëndësishmet e koleksionit të MKAM që datojnë në shekujt XVI – XVII, duke nisur me ato të shkollës kreto – veneciane. Emra të rëndësishëm të ikonografisë, si artit figurative në Shqipëri, si Onufri I madh, apo Onufër Qiprioti e deri te ikonat Postenanit dhe ato të Vithuqit, pikturuar në frymë antiklasike.

Veprat e kësaj salle janë pasqyrim i tendencave të ndryshme artistike të kësaj periudhe dhe ndryshimeve që ka pësuar piktura postbizantine në territorin shqiptar.

Pavioni Salla e kuqe, dominohet nga ikonostasi i kishës të” Shën Nikollës “ në fshatin Rehovë të Ersekës. Është realizuar në dru are, në fillimet e shek. XIX .

Ikonat e ekspozuara në këtë pavion janë të shekujve XVIII – XIX dhe përkojnë me periudhën që njihet si rilindja postbizantine në Shqipëri. Në ekspozitë ka vepra të Murgut Kostandin (Kostandin Jeromonaku), i cili njihet si artist brilant I ikonave të lëvizshme që dekoronin ikonostaset e kishave të Voskopojës, Shën Naumit, në Ohër, etj.

Në sallën E bardha ndodhet ikona Tre Jerarkët e autorëve Athanas dhe Konstandin Zografi, e 1760. Kjo është një ikonë me përmasa të mëdha, e cila vjen nga kisha “Burimi Jetëdhënës” një nga kishat kryesore në qytetin e Korçës.

Gjithashtu ndodhet edhe Sinodi i Parë Ikumenik, nga Kisha e Burimit Jetëdhënës, Korçë
me autor Athanas dhe Konstandin Zografi që daton më 1765. Kjo ikonë e mrekullueshme vjen nga kisha “Burimi Jetëdhënes” në Korçë dhe është pikturuar nga Athanas Zografi.

Në këtë sallë ndodhen edhe Dyert e Kishës “Llindja e Virgjëreshës”, në ishullin e Maligradit, Prespë. Këto janë dyert origjinale të kishës në shpellë, Lindja e Virgjëreshës në ishullin e Maligradit, Prespë. Ato datojnë rreth shekullit XIV dhe janë realizuar në dru./atsh