Tiranë, zbulohet fasada e Muzeut Historik Kombëtar pas restaurimit të plotë

Tiranë, zbulohet fasada e Muzeut Historik Kombëtar pas restaurimit të plotë

Kultura April 18, 2026 - 13:55

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit në Shqipëri, Blendi Gonxhja, ka bërë të ditur se në kuadër të Ditës Ndërkombëtare e Monumenteve është zbuluar fasada e Muzeu Historik Kombëtar pas përfundimit të restaurimit të plotë të saj.

Ai ka theksuar se zbulimi i fasadës përbën një moment të rëndësishëm në procesin kompleks të rikonstruksionit dhe konservimit të këtij monumenti kulture të kategorisë së II-të.

Në një postim në rrjetet sociale, ministri ka potencuar se ndërhyrja e realizuar në fasadë garanton ruajtjen e vlerave historike dhe arkitektonike të objektit. 

“Pas përfundimit të restaurimit të mozaikut monumental në kuadër të projektit të parë të programit EU4Culture, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga UNOPS, tashmë finalizohet edhe ndërhyrja në të gjithë fasadën, duke garantuar ruajtjen e vlerave historike dhe arkitektonike të godinës dhe duke hapur rrugën për vijimin e fazave të mëtejshme të përforcimit struktural, rimuzealizimit dhe rikonceptimit të institucionit”, ka shkruar ministri.