Biblioteka Kombëtare anëtarësohet në TRADUKI, lehtësohet përkthimi shqip
Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka njoftuar se pas disa vjetësh lobim, ka arritur të bëhet anëtare vëzhguese në rrjetin letrar evropian TRADUKI.
“Ky vendim vjen si rezultat i një procesi të gjatë angazhimi dhe lobimi institucional, i cili ka nisur në dhjetor të vitit 2024. Qëllimi kryesor i këtij procesi ka qenë krijimi i mundësive më të mëdha për përkthimin, botimin dhe promovimin e letërsisë shqipe nga Kosova në gjuhën gjermane, si dhe rritja e pranisë së autorëve kosovarë në rrjete dhe platforma ndërkombëtare të letërsisë”, thuhet në komunikatën për media të BKK-së.
Në pjesëmarrjen e sivjetme të Kosovës në Panairin e Librit në Leipzig të Gjermanisë, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ka zhvilluar një takim me drejtuesit e rrjetit TRADUKI dhe përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, duke riafirmuar angazhimin e institucioneve të Kosovës për thellimin e bashkëpunimit kulturor ndërkombëtar.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, kanë zhvilluar një sërë takimesh me përfaqësues kulturorë dhe institucionalë të rrjetit TRADUKI, si dhe me përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë. Këto takime kanë kontribuuar në avancimin e procesit të aplikimit dhe në forcimin e bashkëpunimit kulturor ndërinstitucional.
“Në tetor të vitit 2025, Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim në këtë rrjet, ndërsa në mbledhjen e Komitetit të TRADUKI të mbajtur në nëntor 2025 është miratuar pranimi i Kosovës si anëtare vëzhguese. Si institucion përfaqësues i Republikës së Kosovës në këtë rrjet, Biblioteka Kombëtare e Kosovës do të marrë pjesë për herë të parë në takimin e radhës të TRADUKI, i cili do të mbahet në Sarajevë më 20–21 prill 2026”, thuhet në njoftim.
TRADUKI është një rrjet evropian i themeluar në vitin 2008, i cili synon të mbështesë përkthimin, botimin dhe qarkullimin e letërsisë nga vendet e Evropës Juglindore në hapësirën gjermanofolëse dhe më gjerë.