Arrestohen katër shtetas turq në Prizren, dyshohet se kidnapuan një person
Katër shtetas të Turqisë janë arrestuar gjatë së hënës në Prizren, pasi që të njëjtit dyshohet se kanë kidnapuar një shtetas tjetër turk, shkruan Zeri.info.
Sipas raportit ditor të Policisë së Kosovës, të dyshuarit fillimisht e kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull shtetas i Turqisë dhe pastaj e kishin futur në një veturë dhe e kishin mbajtur për 12 orë kundër vullnetit të tij në një shtëpi private.
Si provë materiale është sekuestruar edhe një veturë, ndërkaq me vendim të prokurorit katër të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Raporti i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:
SHTRËNGIM & PRIVIM I KUNDËRLIGJSHËM NGA LIRIA & LËNDIM I LEHTË TRUPOR
Rr. Ekrem Rexha, Prizren 01.11.2026 – 07:25. Më 09.11.2026 pas hetimeve të zhvilluara janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj shtetas të Turqisë për shkak se të njëjtit fillimisht e kishin sulmuar fizikisht viktimën mashkull shtetas i Turqisë dhe pastaj e kishin futur në një veturë dhe e kishin mbajtur për 12 orë kundër vullnetit të tij në një shtëpi private. Lidhur me rastin në cilësi të provave materiale është sekuestruar edhe një veturë. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. /Zëri