Aktivizohet Prokuroria në Kosovë, e vendos në “stop-listë” Joz Markun pas sulmit ndaj Edi Kuçit
Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur rast penal ndaj shtetasit të Shqipërisë, Joz Marku, pas dyshimeve se ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor” ndaj shtetasit të Kosovës, Edi Kuçi.
Sipas Prokurorisë, rasti është iniciuar me vetiniciativë nga prokurori kujdestar i Prokurorisë Themelore në Pejë.
Këtë e ka konfirmuar për “Zërin” zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Prokurori i Shtetit nga Prokuroria Themelore në Pejë, përkatësisht prokurori kujdestar, me vetiniciativë ka hapur rast penal ndaj Joz Markut, shtetas i Republikës së Shqipërisë, për veprën penale ‘Lëndim i lehtë trupor’, të shkaktuar ndaj shtetasit të Republikës së Kosovës, Edi Kuçi”, tha Nikçi.
Ai shtoi se prokurori i shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për inicimin e rastit, si dhe për vendosjen e të dyshuarit në “stop-listë” dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera ligjore.
Sipas Prokurorisë, veprimet janë ndërmarrë bazuar në Nenin 109 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, i cili përcakton zbatimin e legjislacionit penal ndaj shtetasve të huaj për vepra penale të kryera jashtë territorit të Kosovës ndaj shtetasve të Republikës së Kosovës. /Zëri