Aktakuzë ndaj dy mjekëve në Vushtrri për marrje ryshfeti, ndaj nëntë të tjerëve për dhënie ryshfeti
Prokuroria Themelore në Mitrovicë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj dy mjekëve të një spitali në Vushtrri, të dyshuar për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, ndërsa nëntë persona të tjerë akuzohen për “Dhënien e ryshfetit”.
Sipas aktakuzës, të pandehurit V.R. dhe E.S., në cilësinë e personave zyrtarë – mjekë në Spitalin e Vushtrrisë, dyshohet se kanë kërkuar dhe pranuar në mënyrë të drejtpërdrejtë shuma të ndryshme parash, në këmbim të ofrimit të shërbimeve mjekësore.
Prokuroria thotë se mjeku V.R. dyshohet se ka marrë ryshfet në gjashtë raste, ndërsa mjeku E.S. në tri raste.
Ndërkaq, nëntë personat e tjerë – F.V., B.Q., F.Xh., B.G., B.A., K.H., S.N., V.Y. dhe L.K. – akuzohen se, drejtpërdrejt ose tërthorazi, për vete ose për persona të tjerë, u kanë premtuar, ofruar ose dhënë mjekëve shuma parash prej 50 deri në 300 eurove, me qëllim që familjarët e tyre të operoheshin.
Rasti është proceduar në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, ndërsa Prokuroria ka kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen në përputhje me ligjin.
Të pandehurit konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim përfundimtar të gjykatës. /Zëri