Sekuestrohen dy armë me gaz, pas të shtënave në një aheng familjar në Ferizaj

Sekuestrohen dy armë me gaz, pas të shtënave në një aheng familjar në Ferizaj

Kronika September 02, 2026 - 10:59

Dy armë me gaz janë sekuestruar nga policia, pas të shtënave me armë gjatë një ahengu familjar në fshatin Balaj të Ferizajt.

Rasti ka ndodhur të martën rreth orës 00:30, kur Policia kishte pranuar informacion për të shtëna me armë zjarri në një restorant ku po zhvillohej ahengu, transmeton Zeri.info.

Njësitet reaguese, hetimore dhe forenzike kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku gjatë ekzaminimit janë gjetur dhe tërhequr gjithsej 39 gëzhoja të armëve me gaz.

Në kuadër të hetimeve, policia ka intervistuar dëshmitarë dhe ka siguruar videoincizime nga vendi i ngjarjes. Pas analizimit të pamjeve, janë identifikuar dy persona të dyshuar, R.L., 27 vjeç dhe SH.M., 35 vjeç, të cilët dyshohet se kanë shtënë me armë gjatë ahengut.

Ndaj R.L. është iniciuar rast për veprën penale “Përdorimi i armës ose mjetit të rrezikshëm”.

Ndërkaq, ndaj SH.M. është iniciuar rast për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Gjatë veprimeve policore, janë sekuestruar dy armë me gaz.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë liruar dhe rasti do të hetohet në procedurë të rregullt. /Zëri