Aksident në Kamëz, 26-vjeçari godet automjetin e Policisë - dy zyrtarë në spital

Aksident në Kamëz, 26-vjeçari godet automjetin e Policisë - dy zyrtarë në spital

Kronika August 29, 2026 - 08:53

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka reaguar lidhur me një aksident të ndodhur në Kamëz, ku një automjet është përplasur me një makinë të Policisë.

Policia sqaron se pretendimi se përplasja ka ndodhur gjatë një ndjekjeje policore është i pavërtetë, shkruan vizionplus.tv, transmeton klankosova.tv.

Sipas njoftimit zyrtar, automjeti i Policisë ishte duke patrulluar në territorin e planifikuar për shërbim, kur është goditur nga një automjet me drejtues shtetasin R. T., 26 vjeç.

26-vjeçari, teksa lëvizte nga qendra e Kamzës në drejtim të rrugës “Berisha”, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit, duke u përplasur me makinën e Policisë.

Si pasojë e aksidentit, dy punonjës policie kanë mbetur të dëmtuar dhe po marrin trajtim mjekësor në spital. Sipas Policisë, ata janë jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, 26-vjeçari nuk ka pësuar dëmtime. Ai është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë, ku po kryhen veprimet procedurale për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.

Policia vijon hetimet për të përcaktuar dinamikën e plotë të ngjarjes.