Vritet një 14-vjeçar në Prizren
Foto: Ilustrim

Vritet një 14-vjeçar në Prizren

Kronika August 28, 2026 - 08:09

Një 14-vjeçar ka humbur jetën, pasi dyshohet se është therur me thikë mbrëmjen e së enjtes në Prizren.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar se rasti ka ndodhur më 27 gusht 2026, rreth orës 23:45, ndërsa Policia është njoftuar për një incident ku një i mitur ishte plagosur me thikë.

Sipas Bytyqit, njësitë policore kanë dalë në vendngjarje, ku kanë hasur ekipin e Emergjencës, i cili i kishte dhënë ndihmën e parë 14-vjeçarit.

“Viktima është dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit për trajtim të mëtejmë. Përkundër përpjekjeve të stafit mjekësor, viktima nuk ka arritur t’u përballojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë”, ka deklaruar Bytyqi për Sinjalin.

Pak më larg vendit të ngjarjes policia ka identifikuar dhe arrestuar një 17-vjeçar, i cili dyshohet se është i përfshirë në rast.

Gjatë kontrollit tek i dyshuari është gjetur dhe sekuestruar një thikë, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

Në vendngjarje kanë dalë hetuesit policorë dhe ekipet e krim-teknikës, ndërsa hetimet po zhvillohen nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa i dyshuari 17-vjeçar është ndaluar për 24 orë.

Policia ka bërë të ditur se, për shkak të moshës, si viktima ashtu edhe i dyshuari nuk kanë pasur raste të mëhershme të regjistruara në evidencat policore.

Rasti është cilësuar si “Vrasje” dhe mbetet nën hetim.