KEK-u konfirmon vdekjen e 59-vjeçarit në vendin e punës
Foto: Laura Hasani

KEK-u konfirmon vdekjen e 59-vjeçarit në vendin e punës

Kronika August 17, 2026 - 09:42

Korporata Energjetike e Kosovës, përmes një njoftimi, ka konfirmuar se punëtori që pësoi mbrëmë një aksident në vendin e punës ka vdekur.

I ndjeri është Haxhi Gojnovci, i cili në KEK kishte pozitën si “Teknik i xehetarisë” në kuadër të Divizionit të Prodhimit të Qymyrit (DPQ).

“Më 16.08.2026, gjatë kryerjes së detyrave të punës dhe derisa po lëvizte në zonën e ekskavatorit, i ndjeri ka pësuar një aksident të rëndë, i cili fatkeqësisht ka rezultuar me humbjen e jetës së tij.

Haxhi (Selatin) Gojnovci ishte pjesë e KEK-ut që nga data 15.11.1985 dhe, për më shumë se katër dekada, dha një kontribut të çmuar profesional në Korporatë. Ai do të kujtohet me respekt për përkushtimin, përgjegjësinë, korrektësinë dhe sjelljen e tij shembullore në punë, si dhe për raportet e mira kolegiale që ndërtoi ndër vite”, thuhet në njoftim.

KEK-u u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe kolegëve.

“Familjes Gojnovci, të afërmve, miqve dhe kolegëve të të ndjerit u shprehim ngushëllimet më të sinqerta.

Për kohën dhe vendin e varrimit, opinioni do të njoftohet sapo të përfundojnë procedurat përkatëse mjekoligjore dhe veprimet e tjera të nevojshme nga organet kompetente.

I përjetshëm qoftë kujtimi për Haxhi (Selatin) Gojnovcin”, thuhet në njoftim. /Zëri