Policia gjen pajisje ushtarake të fshehura në një puset në Mitrovicën e Veriut
Policia e Kosovës ka gjetur veshje dhe pajisje ushtarake të fshehura në një puset kanalizimi në Mitrovicën e Veriut.
Sipas njoftimit policor, rasti ka ndodhur të enjten rreth orës 13:30 në rrugën "Zoran Gjingjiq", ku zyrtarët e Stacionit Policor Mitrovicë Veri, gjatë patrullimit të rregullt, kanë vërejtur një puset të hapur.
Gjatë kontrollit të pusetit, policët kanë hasur në një qese plastike me ngjyrë të zezë, e cila ka ngritur dyshime. Pas nxjerrjes së saj janë gjetur:
5 kapela ushtarake me ngjyrë të gjelbër;
2 gjoksore ushtarake, secila me nga tri vende për municion;
1 rrip ushtarak;
4 çanta mbajtëse për karikatorë;
1 çantë mbajtëse për radio-lidhje;
2 çanta ushtarake për municion;
1 palë doreza.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka udhëzuar që, për momentin, të mos iniciohet rast penal.
Policia ka bërë të ditur se pajisjet janë sekuestruar, ndërsa hetimet po vazhdojnë për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit dhe për të identifikuar personat e përfshirë. /Zëri