Dogana e Kosovës parandalon tentim kontrabandën në Qafë-Prush, sekuestrohen 504 copë “Barium Sulfate”
Foto: Dogana e Kosovës

Dogana e Kosovës parandalon tentim kontrabandën në Qafë-Prush, sekuestrohen 504 copë “Barium Sulfate”

Kronika August 07, 2026 - 15:00

Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka parandaluar një rast të tentim kontrabandimit të mallrave në pikën e kalimit kufitar Qafë-Prush.

Sipas njoftimit të Doganës, gjatë kontrollit të automjeteve në hyrje të Republikës së Kosovës, një automjet është përzgjedhur për kontroll doganor, raporton Zeri.info.

“Drejtuesi i automjetit kishte deklaruar se nuk posedonte mallra ose mjete monetare për deklarim. Megjithatë, gjatë kontrollit të detajuar, të realizuar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, janë zbuluar 504 copë ‘Barium Sulfate’ të padeklaruara, të fshehura në bagazhin e automjetit”, thuhet në njoftimin e Doganës.

Po ashtu, sipas njoftimit të Doganës, personi ka tentuar t’i fusë mallrat në territorin doganor të Republikës së Kosovës pa i paraqitur për kontroll dhe pa përmbushur detyrimet ligjore të deklarimit, duke kryer kundërvajtje doganore në kundërshtim me Kodin Doganor dhe të Akcizave.

“Mallrat janë ndaluar dhe sekuestruar, ndërsa ndaj rastit do të zhvillohen procedurat e mëtejshme administrative dhe kundërvajtëse, në përputhje me legjislacionin në fuqi. Dogana e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin për luftimin e kontrabandës dhe ekonomisë joformale, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit”, thuhet në njoftimin e Doganës. /Zëri