Shtylla elektrike bie në mes të rrugës në Zhur, rrezikohen banorët
Këshilltari në Kabinetin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Prizren, Petrit Hoxhaj, ka njoftuar për një situatë të rrezikshme në lagjen Ajazaj të Zhurit, ku një shtyllë elektrike është rrëzuar dhe kabllot kanë mbetur në rrugë.
Hoxhaj ka bërë të ditur se për gjendjen e kësaj shtylle kishte reaguar edhe disa ditë më parë, por sipas tij, nuk është ndërmarrë asnjë masë nga KEDS-i.
“Para disa ditësh reagova për gjendjen e rrezikshme të një shtylle elektrike në lagjen Ajazaj të Zhurit. Fatkeqësisht, jo vetëm që KEDS-i nuk ka ndërmarrë asnjë masë, por tash e dy ditë shtylla është e rrëzuar, ndërsa kabllot elektrike gjenden në rrugë!”, shkroi Hoxhaj.
Ai ka theksuar se kjo gjendje paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për banorët, fëmijët, këmbësorët dhe automjetet që qarkullojnë në këtë rrugë.
Hoxhaj ka kërkuar reagim urgjent nga KEDS-i dhe Policia e Kosovës, në mënyrë që zona të sigurohet dhe rreziku të eliminohet sa më parë.
“Nuk duhet të pritet të humbë jetë dikush që institucionet përgjegjëse të reagojnë!”, ka theksuar ai.