Ndalohet për 48 orë djali që vrau aksidentalisht babanë në Deçan, i sekuestrohen arma dhe 24 fishekë

Ndalohet për 48 orë djali që vrau aksidentalisht babanë në Deçan, i sekuestrohen arma dhe 24 fishekë

Kronika July 24, 2026 - 09:32

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprën penale “Vrasje nga pakujdesia” lidhur me rastin tragjik të ndodhur në Bjeshkën e Strellcit në Deçan, ku një burrë humbi jetën nga plagët e marra me armë zjarri.

Sipas informacioneve të deritanishme, i dyshuari është djali i viktimës dhe dyshohet se vrau babanë e tij aksidentalisht, transmeton Zeri.info.

Sipas njoftimit të Policisë, rasti ka ndodhur më 23 korrik, kur Stacioni Policor në Deçan është njoftuar se në oborrin e një stani një person kishte mbetur i vdekur si pasojë e plagëve të shkaktuara nga arma e zjarrit.

Njësitë policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës. Gjatë veprimeve hetimore janë sekuestruar një armë zjarri, një karikator i zbrazët dhe 24 fishekë.

“Hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në DRP Pejë, në koordinim me prokurorin e Shtetit, janë duke zhvilluar hetimet lidhur me rastin, i cili është cilësuar si 'Vrasje nga pakujdesia’”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Me urdhër të prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa i dyshuari, pas intervistimit, është ndaluar për 48 orë. /Zëri

Image

Image