Arrestohen tre persona në Prishtinë, dyshohen se falsifikonin dokumente për persona të kërkuar ndërkombëtarisht
Tre persona janë arrestuar të mërkurën në Prishtinë, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të falsifikimit të dokumenteve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë bëri të ditur se aksioni u zhvillua në bashkëpunim dhe koordinim me Policinë e Kosovës dhe agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, ku u realizuan bastisje në tri lokacione të ndryshme. Të arrestuarit janë identifikuar me inicialet G.Th., E.G. dhe Sh.Sh., transmeton Zeri.info.
Sipas Prokurorisë, aksioni është ndërmarrë në kuadër të hetimeve për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Gjatë hetimeve janë zbatuar masa të veçanta hetimore, përmes të cilave janë siguruar prova materiale, përfshirë komunikime në rrjete sociale, kontakte ndërmjet të dyshuarve dhe dokumente të falsifikuara të shteteve të ndryshme.
Sipas dyshimeve të deritanishme, të arrestuarit kanë falsifikuar dokumente të ndryshme identifikimi, përfshirë letërnjoftime, patentë shoferi dhe pasaporta të disa shteteve evropiane. Prokuroria thotë se këto dokumente u siguroheshin personave të kërkuar me fletarrest ndërkombëtar, të cilët dyshohet se synonin t’i përdornin për veprimtari të kundërligjshme, ndërsa për to paguanin deri në 15 mijë euro.
Prokuroria Themelore në Prishtinë theksoi se, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera përgjegjëse, mbetet e përkushtuar në luftimin e krimit dhe garantimin e sundimit të ligjit. /Zëri