Vrasja aksidentale në Strellc, flasin nga Policia dhe Prokuroria
Policia e Kosovës ka dhënë detaje lidhur me incidentin tragjik që ka ndodhur sot në Bjeshkët e Strellcit, ku një person humbi jetën nga arma e zjarrit.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka konfirmuar për “Zërin" se rasti është raportuar rreth orës 13:43.
“Sot, rreth orës 13:43, Policia është informuar se në oborrin e një stani në Bjeshkët e Strellcit ka ndodhur një incident me armë zjarri, ku një person ka mbetur pa shenja jete. Sipas informacioneve të para, dyshohet se viktima është qëlluar aksidentalisht. Në vendin e ngjarjes është gjetur edhe një armë zjarri”, ka deklaruar Rugova për “Zërin”.
Policia ka nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të rastit.
Po ashtu edhe zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar për “Zërin” se Prokurori i shtetit dhe gjitha njësitë relevante policore janë në vendin e ngjarjes duke ndërmarrë veprime të nevojshme. /Zëri