Gjykimi për vdekjen e 36-vjeçares në QKUK - infermierja thotë që s’kishte vërejtur neglizhencë, lëshim ose dështim nga stafi i Gjinekologjisë
Foto: Laura Hasani

Gjykimi për vdekjen e 36-vjeçares në QKUK - infermierja thotë që s’kishte vërejtur neglizhencë, lëshim ose dështim nga stafi i Gjinekologjisë

Kronika October 28, 2026 - 15:18

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj katër mjekëve, Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli, të cilët po akuzohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, të mërkurën vazhdoi dëshminë infermierja Valbona Kelmendi-Gashi, e cila deklaroi se nuk kishte vërejtur ndonjë neglizhencë, lëshim, dështim, injorim të ankesave apo mos-shfrytëzim të mundësive deri në dorëzimin e pacientes në Emergjencë nga stafi i Gjinekologjisë.

Dëshmitarja Kelmendi-Gashi tha se për pacienten është kërkuar këshilla e neurologut e pastaj ai ka udhëzuar kryerjen e CT-së së kokës, për arsye se është dyshuar që pacientja ka pësuar sulm epileptik dhe gjakderdhje në kokë. Ndërsa, shtoi se nuk i kujtohet se a kanë dyshuar doktorët edhe për diçka tjetër.

Ndër të tjera, dëshmitarja tha se është ftuar edhe anesteziologu dhe ka ardhur menjëherë. Gjithashtu sipas saj, nuk ka ndodhur asnjëherë të kërkohet ndihma e ndonjë doktori tjetër të ndonjë lëmie përkatëse e që të mos vijë.

“Po, kur është thirrë anesteziologu është ardhë menjëherë. Nuk ka pas që 32 vite që punoj, kurrë nuk ka ndodhur ajo që me e thirrë dikon e mos me ardhë”, dëshmoi Kelmendi-Gashi.

Ndërsa sa i përket çështjes së ruajtjes së qeses së gjakut, dëshmitarja tha se qeset e gjakut të konsumuara nuk ruhen asnjëherë dhe nuk ka as vend të caktuar që ato të ruhen pasi që sipas saj, janë të konsumuara dhe nuk nevoiten të ruhen.

Kelmendi-Gashi shtoi se gjatë gjithë kohës derisa pacientja është transferuar në Emergjencë, i ka qëndruar afër dhe është kujdesur për të dhe se prej momentit që i është vendosur transfuzioni i gjakut deri në transferim ka qenë nën përcjellje.

Tutje, Kelmendi-Gashi sqaroi se gjatë rrugës kur ka shkuar për të ftuar neurologun, bashkëshorti i pacientes në korridor i kishte thënë se ajo ka marrë gjak edhe gjatë lindjes dhe se edhe atëherë ka pasur disa probleme.

Sipas saj, pasi pacientja është transferuar në Emergjencë, doktorët e Gjinekologjisë nuk kanë marrë ndonjë veprim ndaj saj sepse nuk ka qenë kompetencë e tyre, por e stafit të Emergjencës.

“Normal kur te çon në Emergjencë, ata merren pastaj me të, jo na. Ne e kemi kry transferimin s’kemi pasur punë më me ta”, tha Kelmendi-Gashi.

Kurse e pyetur se po të ishte në situatë të njëjtë si pacient ndonjë familjar i saj ose vetë dëshmitarja, a do të mund të veprohej diçka ndryshe, ajo u përgjigj se nuk ka pasur ndonjë veprim tjetër që është mundur të merrej.

Infermierja Klemendi-Gashi, tha po ashtu se gjatë tërë kohës edhe kur është dhënë transfuzioni i gjakut e tutje prezent kanë qenë familjarët e pacientes. Sipas saj, ata edhe i kanë falenderuar stafin mjekësor të gjinekologjisë për kujdesin ndaj pacientes.

Ndërsa e pyetur se a ka qenë e udhëzuar për ta kërkuar neurologun - të akuzuarin Bashkim Sheholli, për të ardhur në Gjinekologji, dëshmitarja tha se po për konsulta gjithmonë kur thërriten doktorët tjerë janë me udhëzim.

“Po, konsulta thirret gjithmonë me udhëzim”, u përgjigj Kelmendi-Gashi.

Po ashtu, Kelmendi-Gashi shtoi se neurologu Sheholli përpos CT-së, kishte udhëzuar edhe që pacientja të dërgohej në reanimim.

Kelmendi-Gashi shtoi ndër të tjera se askush nuk i kishte kërkuar që qesen e gjakut ta ruajë. Tha se ndodh shpesh që transfuzioni i gjakut të ndërpritet, por zakonisht në raste kur pacientët kanë tension të lartë, pastaj pasi të stabilizohen, vazhdohet me transfusion.

Në ditën kritike, Kelmendi-Gashi, u përgjigj se për ndërprerjen e transfuzionit të gjakut ka vepruar sipas protokollit.

Pastaj, për arsye të pauzës së punës së Gjykatës, seanca gjyqësore u ndërpre për të vazhduar më një datë tjetër.

Rasti gjykohet nga trupi gjykues me këtë përbërje: Adnan Kamberi- kryetar i trupit gjykues, Sulltane Hoti dhe Alban Ajvazi- anëtarë.

Ndryshe sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Vjosa Zejnullahu, Selman Demolli, Myzeine Muja dhe Bashkim Sheholli, në cilësinë e mjekëve më 20 janar 2016 në Prishtinë në QKUK-KGJO, me rastin e dhënies së ndihmës mjekësore, duke vepruar me dashje të mundshme, të vetëdijshëm se veprimet e tyre mund të sjellin deri te vdekja pacientin, kanë përdorur metoda të papërshtatshme të trajtimit dhe me atë rast kanë shkaktuar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të së dëmtuarës – tani të ndjerës S.F.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara Zejnullahu nuk ka kërkuar mendimin e mjekëve të tjerë nëse e dëmtuara duhet të trajtohet fillimisht në emergjencë apo në terapi intensive, duke nënvlerësuar ankesën e pacientes për reagimin ndaj transfuzionit të gjakut dhe vazhdoi dhënien e gjakut, duke vlerësuar gabimisht gjendjen e pacientes dhe anashkaluar konsultimin e transfuziologut.

Siç thuhet në aktakuzë, e akuzuara Zejnullahu duke e ditur se përkeqësimi i gjendjes së pacientes ka ndodhur pas transfuzionit të gjakut, e ka dërguar pacienten në qendrën urgjente dhe nuk ka dërguar qesen me gjak, për të parë se cili gjak i është dhënë të dëmtuarës, duke ditur faktin se ka grupe të ndryshme të gjakut dhe duke e shkatërruar si provë kryesore në këtë rast.

Tutje sipas aktakuzës, të akuzuarit Demolli dhe Muja nuk kanë vepruar sipas protokolleve standarde për trajtimin e pacientit, sepse nuk kanë dhënë rekomandime për konsultim me transfuzuiologun pasi të dëmtuarës i është përkeqësuar gjendja dukshëm gjatë marrjes së gjakut në atë mënyrë që të gjithë ata nuk kanë ndërmarrë veprime për trajtimin e pacientes me antireaksion (terapi për reaksion post-tranzionit), pastaj dhanë konkluzione të gabuara duke vendosur që në vend që të thërrisnin për konsultë transfuziologun, kanë thirrur neurologun, tani të akuzuarin Sheholli.

Më tej, në aktakuzë thuhet se i akuzuari Sheholli, i cili nuk ishte mjek kompetent për këtë rast, urdhëroi diçka tjetër që nuk ishte në përputhje me protokollin, duke rekomanduar të bëhet CT e trurit të pacientes dhe anashkaloi konsultën me transfuziologun, ndërsa të gjithë si ekip nuk rekomanduan mbajtjen e qeses me gjak të cilën e ka marrë e dëmtuara për analiza të mëtutjeshme, ku në atë rast gjendja përkeqësohet dhe vjen deri te vdekja e të dëmtuarës S.F.

Në këtë rast, secili prej tyre akuzohet se ka kryer vepër penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor” nga Neni 260, par. 4, lidhur me par. 1 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi