Edhe në rigjykim, Ekrem Bajroviq dënohet me 12 vjet burgim për krime lufte në Istog

Edhe në rigjykim, Ekrem Bajroviq dënohet me 12 vjet burgim për krime lufte në Istog

Kronika July 03, 2026 - 10:35

Themelore në Prishtinë e ka dënuar sërish me 12 vjet burgim Ekrem Bajroviqin, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile gjatë viteve 1998-1999 në komunën e Istogut dhe fshatrat përreth, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky është vendimi i rigjykimit, pasi rasti ishte kthyer në rivendosje nga Gjykata Supreme.

Fillimisht, më 19 korrik 2024, Gjykata Themelore e kishte shpallur fajtor Bajroviqin dhe e kishte dënuar me 12 vjet burgim. Ky aktgjykim ishte vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit më 21 maj 2025, e cila kishte refuzuar ankesën e mbrojtjes, duke vlerësuar se shkalla e parë kishte vendosur drejt.

Megjithatë, Gjykata Supreme, me vendimin e përpiluar më 4 dhjetor 2025, kishte miratuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtja e Bajroviqit, avokatët Ljubomir Pantoviq dhe Milosh Deleviq, dhe e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Sipas Supremes, disa dëshmitarë kishin deklaruar gjatë shqyrtimit gjyqësor se për këtë rast kishin dhënë deklarata edhe para autoriteteve të UNMIK-ut dhe EULEX-it, por ato nuk ndodheshin në shkresat e lëndës. Gjykata kishte vlerësuar se këto deklarata duhej të siguroheshin dhe të shqyrtoheshin së bashku me provat e tjera.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 15 shtator 2023, Bajroviqi akuzohet se, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim mizor e çnjerëzor, mbajtje në kushte skllavërie, dëbim dhe deportim të popullsisë civile shqiptare, si dhe në plaçkitjen, djegien dhe shkatërrimin e shtëpive në Komunën e Istogut dhe fshatrat përreth gjatë luftës në Kosovë.

Bajroviqi akuzohet se si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë, ka marrë pjesë dhe ka kontribuuar në aplikimin e masave represive të vrasjes, bastisjes, rrahjes, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtimit në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtjes në kushte skllavërie, dëbimit dhe deportimit të popullsisë civile, plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar.