Shkon në katër numri i të plagosurve në Podujevë

Shkon në katër numri i të plagosurve në Podujevë

Kronika July 02, 2026 - 15:12

Ka shkuar në katër numri i të plagosurve me armë, pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave në qendër të Podujevës.

Policia e Kosovës ka konfirmuar për “Zërin” se katër persona të plagosur po trajtohen në QKUK.

Siç dyshohet, të përfshirët në këtë rast kanë lidhje familjare mes vete.

Më herët, zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala, bëri të ditur se, menjëherë pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes për të udhëhequr veprimet hetimore.

“Lidhur me rastin ju njoftojmë se, pas pranimit të informatës nga Policia e Kosovës, prokurori kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, me qëllim të ndërmarrjes së veprimeve hetimore për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje. Deri më tani këto informata i posedojmë. Për më shumë informacione ju njoftojmë me kohë”, ka deklaruar Shala.

Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se rasti është raportuar rreth orës 13:30.

Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, menjëherë pas pranimit të njoftimit, njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. /Zëri