Zbulohen 300 kg duhan i kontrabanduar, e kishin fshehur në një shpi të pabanuar në Viti
Rreth 300 kilogramë duhan i përpunuar dhe i gatshëm për treg është gjetur në një shtëpi të pabanuar në Viti, shkruan Zeri.info.
Policia e Kosovës ka njoftuar se kontrabanda e duhanit ishte bërë nga Maqedonia e Veriut.
Sipas Policisë, vlera e përafërt e mallrave të sekuestruara vlerësohet të jetë rreth 6.000 euro, ndërsa shmangiet nga obligimet doganore dhe akciza llogariten rreth 12.000 euro.
Policia nuk ka njoftuar për ndonjë të dyshuar të arrestuar lidhur me këtë rast.
Njoftimi i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:
Parandalohet një rast i kontrabandimit me mallra
Më 31.05.2026, Policia e Kosovës, përkatësisht njësia Task Forca – DRK Jug, pas pranimit të informatave se në një shtëpi të pabanuar në komunën e Vitisë ishin të strehuara mallra të kontrabanduara nga Republika e Maqedonisë së Veriut në Republikën e Kosovës, ka ndërmarrë veprime operative dhe hetimore, të cilat kanë rezultuar me zbulimin dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të mallrave të kontrabanduara.
Lidhur me rastin, njësitë relevante policore kanë identifikuar shtëpinë e pabanuar e cila dyshohet se ishte përdorur për fshehjen dhe depozitimin e mallrave të kontrabanduara, të cilat dyshohet se janë futur në territorin e Republikës së Kosovës përmes rrugëve ilegale nga Maqedonia e Veriut.
Pas sigurimit të autorizimit verbal nga prokurori kompetent, është realizuar kontrolli i objektit, ku është sekuestruar:
Duhan i përpunuar, i gatshëm për treg, në peshë rreth 300 kg.
Vlera e përafërt e mallrave të sekuestruara vlerësohet të jetë rreth 6,000 euro, ndërsa shmangiet nga obligimet doganore dhe akciza llogariten rreth 12,000 euro.
Pas ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme procedurale, mallrat e sekuestruara i janë dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore. /Zëri