Prokuroria ngrin 18 prona dhe kërkon paraburgim për të arrestuarin në rastin “Pronat në Prizren”

Prokuroria ngrin 18 prona dhe kërkon paraburgim për të arrestuarin në rastin “Pronat në Prizren”

Kronika May 21, 2026 - 15:51

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit me inicialet E.J., i cili ndodhet në ndalim 48 orësh, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Sipas Prokurorisë, E.J., në cilësinë e një ndërmjetësuesi të licencuar, dyshohet se ka tejkaluar kompetencat duke përpiluar dokumente dhe marrëveshje fiktive ndërmjetësimi, përmes të cilave ka përfituar për vete ose për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm material të konsiderueshëm.

Rasti lidhet me hetimet disa mujore të zhvilluara në bashkëpunim me Policia e Kosovës – Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në kuadër të rastit të njohur si “Pronat në Prizren”.

Sipas hetimeve, të dyshuarit kanë përdorur dokumente dhe procedura fiktive për të ndërmjetësuar prona kadastrale të një personi të ndjerë prej dekadash. Përmes këtyre veprimeve dyshohet se janë bartur në mënyrë të kundërligjshme 18 parcela tokësore në fshatin Lokvicë të Komunës së Prizrenit, me vlerë rreth 1 milion euro, duke u shkaktuar dëm pronarëve ligjorë.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë edhe ndaj të dyshuarit V.Z., i cili ndodhet në arrati dhe dyshohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”. Sipas njoftimit, ai dyshohet se ka falsifikuar dokumente publike dhe, në koordinim me E.J., ka bartur 18 ngastra kadastrale në emër të tij.

Në këtë rast po hetohet edhe A.G., nën dyshimin për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Gjatë aksionit janë sekuestruar 14 mijë e 600 euro, telefona dhe dokumente relevante, ndërsa është lëshuar urdhër edhe për ngrirjen e përkohshme të 18 pronave të paluajtshme deri në përfundimin e procedurës hetimore.

Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe sigurimin e provave shtesë. /Zëri