Kërkohet paraburgim për të dyshuarin në rastin e mashtrimit me 12 mijë euro përmes kriptovalutave

Kërkohet paraburgim për të dyshuarin në rastin e mashtrimit me 12 mijë euro përmes kriptovalutave

Kronika May 08, 2026 - 11:44

Ferizaj, 8 maj 2026 – Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Ferizaj për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me iniciale V.N., nën dyshimin për veprën penale “Mashtrimi”.

Kërkesa lidhet me një rast të datës 29 prill 2026, ku fillimisht ishin ndaluar dy të dyshuar, A.L. dhe R.J., ndërsa i pandehuri V.N. dyshohet se ka qenë i përfshirë në të njëjtën skemë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 17 prill 2026, rreth orës 19:00, në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj, i pandehuri në bashkëkryerje me dy të dyshuarit e tjerë, me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror, kanë mashtruar disa persona të dëmtuar duke u paraqitur rrejshëm se posedonin kriptovaluta USDT dhe se do t’i transferonin ato përmes një “wallet”-i digjital.

Në kuadër të kësaj skeme, të dyshuarit kanë siguruar një lokal me qira dhe kanë organizuar takim me viktimat, ku më pas kanë arritur të marrin shumën prej 12 mijë eurosh, para se të largoheshin në drejtim të panjohur.

Prokuroria thekson se nga veprimet hetimore është konstatuar se të dyshuarit kanë tentuar të përsërisin të njëjtën skemë mashtrimi edhe në rrugën “Ismail Reka” në Kaçanik.

Ndaj të pandehurit V.N. është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh me vendim të prokurorit të Shtetit, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë. /Zëri