Gjykata në Prizren refuzon paraburgimin për pesë të dyshuar në rastin e Agjencisë Kadastrale
Gjykata Themelore në Prizren ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë personave të ndaluar në kuadër të një aksioni të zhvilluar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe disa lokacione të tjera.
Lajmin e ka konfirmuar për media zëdhënësi i gjykatës, Marcel Lekaj, i cili ka bërë të ditur se ndaj të dyshuarve është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor.
“Është refuzuar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit. Ndaj pesë të pandehurve është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor,” ka deklaruar Lekaj.
Sipas tij, në mesin e të ndaluarve janë dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës, një zyrtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë si dhe dy qytetarë.
Të gjithë të dyshuarit ishin arrestuar më herët dhe ishin mbajtur në ndalim 48 orësh nën dyshimet për përfshirje në keqpërdorime me prona.
Hetimet lidhen me dyshime për manipulime me dokumente pronësore, përfshirë edhe një rast ku dyshohet se është falsifikuar një dokument i vitit 1966, me qëllim përfitimi pasuror nga një pronë e caktuar.