Vritet 30-vjeçari me thikë në Gjakovë, i dyshuari vetëdorëzohet në Polici
Foto: Laura Hasani

Vritet 30-vjeçari me thikë në Gjakovë, i dyshuari vetëdorëzohet në Polici

Kronika May 05, 2026 - 19:15

Orët e para të mëngjesit të së martës dolën të jenë fatale për një të ri në Gjakovë.

Ky i fundit u ther me thikë brenda veturës, në të cilën po qëndronte bashkë me dorasin e dyshuar. Ky i fundit u vetëdorëzua në polici.

Po qëndronin së bashku në veturë në këtë rrugë.

Por, një konflikt që ndodhi mes dy personave në orët e para të së martës, doli të jetë fatal për Rexhë Brahimajn.

Ky i fundit, u godit më thikë brenda veturës, këtu në rrugën “Mbretëresha Teutë” në Gjakovë.

Pas kësaj, viktima fillimisht u transportua me urgjencë në Qendrën Kryesore të Mjekësistë Familjare të Gjakovës.

E për shkak të plagës së rëndë, u desh që 30 vjeçari të transferohet në  Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë.

Por, nga Emergjenca, thonë se viktima arriti këtu pa shenja jete.

E për disa orë, i dyshuari Q.S ndodhej në arrati.

Por në orët e paradites të së martës, ai u vetëdorëzua në stacionin policor në Gjakovë.

“Si rezultat i veprimeve hetimore, janë identifikuar dy persona të dyshuar. Njëri prej tyre, me inicialet Q. S., rreth orës 09:45 është vetëdorëzuar në polici dhe, me vendim të prokurorit të shtetit, është ndaluar në mbajtje për 48 orë. Aktualisht, në koordinim të plotë me Prokurorin e Shtetit, Policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme operative dhe hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës

Ndaj tij Prokuroria Themelore e Gjakovës, do të kërkojë paraburgim prej 30 ditësh.

“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë. Prokurori i Shtetit, ka iniciuar rast për shkak të veprës penale “Vrasja”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). Brenda afatit ligjor, do të paraqitet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në gjykatën kompetente”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore në Gjakovë.

Banorët e kësaj zone i thanë televizionit prapa kamerave se viktima kishte jetuar një kohë këtu, por që kohëve të fundit nuk e kishte frekuentuar këtë zonë.