Slobodan Radenkoviq dënohet me dy vjet burgim dhe 15 mijë euro gjobë për sulm ndaj KFOR-it dhe Policisë në Zveçan
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me dënim unik prej dy vjetësh burgim dhe 15 mijë euro, Slobodan Radenkoviqin, i akuzuar për sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në Zveçan në vitin 2023.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga gjykatësja Medie Bytyqi, pasi i akuzuari Radenkoviq ka arritur marrëveshje për pranim fajësie me Prokurorinë Speciale, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas vendimit, për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” në bashkëkryerje u dënua me 2 vjet burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Kurse, për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi” u dënua me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuari iu zëvendësua me 15 mijë euro gjobë.
Ndaj Radenkoviqit Gjykata shpalli dënim unik me dy vjet burgim dhe 15 mijë euro gjobë.
I akuzuari obligohet t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 150 eurovr dhe 50 euro të tjera për Fondin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, në afat prej 15 ditësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit.
Paraprakisht, prokurori Bekim Kodraliu ka elaboruar detajet e marrëveshjes për pranim fajësie, duke specifikuar dënimet e propozuara për dy veprat penale që i vihen në barrë Radenkoviqit.
Për veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” prokurori Kodraliu propozoi dënim me burgim efektiv prej dy viteve dhe të përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 14 janar 2026.
Ndërsa, për veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm”, prokurori ka propozuar dënim me burgim prej gjashtë muajsh, me mundësi zëvendësimi me gjobë në shumën prej 15 mijë euro.
Gjithashtu, prokurori ka kërkuar që masa e paraburgimit për të akuzuarin të vazhdohet deri në plotfuqishmërinë dhe ekzekutimin e aktgjykimit të gjykatës.
Mbrojtësja e të akuzuarit Radenkoviq, avokatja Bojana Sërbljak deklaroi se mbrojtja qëndron pranë marrëveshjes së arritur me Prokurorinë si dhe kërkoi që shuma gjobës së të akuzuarit të paguhet me këste përgjatë dy viteve.
Më pas, gjyqtarja e rastit, Medie Bytyqi mori aktvendim për miratimin e marrëveshjes mbi pranimin e fajësisë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të ngritur më 16 prill 2026, i akuzuari Slobodan Radenkoviq, akuzohet se më 29 maj 2023, në intervalin kohor duke filluar nga ora 6:00 e mëngjesit deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, në koordinim me shumë të dyshuar të tjerë serbë nga Kosova dhe Serbia, ka marrë pjesë aktive në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze.
Aktakuza thotë se përmes përdorimit të dhunës i kanë sulmuar ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara, si dhe armë zjarri, nga të cilat u lënduan së paku 30 pjesëtarë të KFOR-it, tre prej tyre pësuan lëndime të rënda trupore nga predhat e armëve të zjarrit, si dhe disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Me këto veprime, i akuzuari së bashku me persona të tjerë seriozisht ka rrezikuar jetën dhe trupin e këtyre personave zyrtarë.
Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar” nga neni 402, par. 6 lidhur me par. 2 dhe Nenin 31 të Kodit Penal.
Po ashtu sipas aktakuzës, më datë dhe kohë të njëjtë, i akuzuari Radenkoviq në koordinim me të dyshuar tjerë kanë ushtruar dhunë të pakontrolluar, ku përmes përdorimit të dhunës kanë tentuar që të pengojnë vendosjen e rendit kushtetues në Republikën e Kosovës në komunat veriore.
Sipas aktakuzës, i akuzuari dhe të dyshuarit tjerë ushtruan dhunë të pakontrolluar me mjete të forta, mjetë shpërthyese të improvizuara si dhe më armë zjarri, duke i lënduar të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse të KFOR-it, si dhe kanë shkaktuar dëme materiale të konsiderueshme në automjetet e KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e asaj dite, të cilat përfshijnë djegien e plotë të disa automjeteve ose dëmtim fizik në masë të madhe. Kështu, me këto veprime i akuzuari bashkë me persona tjerë ka shkaktuar rrezik në shkallë të gjerë për jetën dhe trupin e shumë njerëzve dhe të pasurisë.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Pjesëmarrja në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi, nga neni 404, par. 1 lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal.