Tre persona ndalohen në Ferizaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare
Foto: Ilustrim

Tre persona ndalohen në Ferizaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare

Kronika April 28, 2026 - 12:05

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se ka nisur hetime ndaj tre personave të dyshuar për disa vepra penale, duke përfshirë “Keqpërdorim të pozitës zyrtare”, “Falsifikim dokumentesh” dhe “Legalizim të përmbajtjes së rreme”.

Sipas njoftimit, me vendim të prokurorit të Shtetit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, është lëshuar urdhër për kontroll në shtëpitë dhe lokalet përcjellëse të të dyshuarve, i cili është zbatuar me autorizim të Gjykata Themelore në Ferizaj. Pas veprimeve hetimore, tre të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Prokuroria bën të ditur se të dyshuarit hetohen për veprat penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje në ndihmë”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”, sipas dispozitave përkatëse të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sa i përket mbrojtjes, dy nga të ndaluarit nuk kanë angazhuar avokat, ndërsa me urdhër verbal të prokurorit është kërkuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës që të caktojë mbrojtës sipas detyrës zyrtare.

Nga ana tjetër, zyra koordinuese e Odës fillimisht ka kërkuar informacion shtesë lidhur me identitetin e të pandehurve dhe veprat penale, para se të procedojë me caktimin e avokatëve. Lidhur me këtë, Prokurori i Shtetit ka paralajmëruar për pasojat e moszbatimit të kërkesave të organeve të rendit, duke theksuar se veprime të tilla mund të pengojnë zhvillimin e procedurës hetimore. /Zëri