Arrestohet personi që tentoi të grabiste me armë një institucion mikrofinanciar në Prizren

Arrestohet personi që tentoi të grabiste me armë një institucion mikrofinanciar në Prizren

Kronika May 05, 2023 - 11:54

Më 03.05.2023, rreth orës 16:04 , në Stacionin Policor Prizren raportohet për rast “Grabitja në tentativë” në rr. “Ahmet Prishtina”.

Një person i maskuar dhe i armatosur të mërkurën ka tentuar të grabiste institucionin mikrofinanciar “Finca” në Prizren.

Sipas Policisë, i dyshuari i rastit, i veshur me rroba sportive të zeza, me maskë në fytyrë dhe me pistoletë në dorë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror, hyn në objektin mikrofinanciar ‘Finca’, ku konfrontohet me punëtorin e sigurimit të atyshëm, të cilit i shkakton lëndim ne kokë. Përpjekja e të dyshuarit për të kryer grabitjen ngel e papërfunduar. I dyshuari largohet nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

“Janë ndërmarrë veprime të duhura hetimore, në vendngjarje është gjetur një çelës i veturës i të dyshuarit e më pas edhe vetura të cilën i njëjti e ka pasur në përdorim, ‘WV Passat’, ngjyrë e zezë, e cila me urdhër të prokurorit është sekuestruar.

Është identifikuar i dyshuari D.G., në shtëpinë e të cilit me urdhër të prokurorit është kryer një kontroll (bastisje)”, njofton Policia.

Në njoftim thuhet se dje rreth orës 21:50 i dyshuari është lokalizuar dhe është arrestuar.

“I njëjti intervistohet në prezencë të avokatit mbrojtës. Të dyshuarit i është gjetur në posedim një armë zjarri – pistoletë, e cila sekuestrohet. Është iniciuar rast i klasifikuar si vepër penale ‘Grabitja në tentativë’, ndërsa me aktvendim me shkrim të prokurorit të Shtetit, të dyshuarit i shqiptohet masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri

Image
Arma e sekuestruar