Gjendet armë zjarri pa autorizim në Kaçanik, 42-vjeçari lirohet në procedurë të rregullt
Policia e Kosovës ka njoftuar se një person është ndaluar në fshatin Rekë të Kaçanikut, nën dyshimin se posedonte armë zjarri pa autorizim.
Sipas komunikatës së Policisë, rasti është raportuar më 8 shtator 2026, rreth orës 16:20, kur Stacioni Policor në Kaçanik ka pranuar informacion për një person që dyshohej se posedonte armë zjarri.
Pas verifikimit të informacionit, njësitet policore, përfshirë Njësinë e Hetimeve të Kaçanikut, kanë dalë në lokacion dhe kanë kontaktuar të dyshuarin, M.M., 42-vjeçar.
“Gjatë kontaktit, i dyshuari ka pranuar se posedonte një armë zjarri dhe policia ka konfiskuar një armë pistoletë, së bashku me një fishek në karikator”, thuhet në komunikatën e Policisë.
I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor në Kaçanik, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Policia ka bërë të ditur se për rastin është konsultuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt.